English

Fullani: Shtimi i borxheve shfaq mjaft rrezik

Tiranë, 4 mars, NOA - Kriza globale është shoqëruar me efekte, të cilat po i shohimtë pasqyruara edhe tek fqinjët tanë, por Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësitë e saj për të mos rënë pre' e tyre.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një seminari të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke shtuar se "duhet synuar ulja e borxhit që u krijua nga politikat ekspansioniste dhe të synohet jo vetëm mosbërja e borxheve të reja, por edhe ulja e atij të vjetrit".

Më tej, ai tha sesi rritja e borxhit është një gjë e pritshme dhe kjo duhet që të shmanget dhe se kjo është pjesë e rëndësishme e politikave makroekonomike në vend.

Sipas guvernatorit të BSH-së, Shqipëria duhet të bëhet atraktive për investimet e huaja duke dhënë kontributin e vet në një stabilitet të qëndrueshëm global.

"FMN është vigjilent dhe mbështetës i ekonomisë botërore, sidomos i atyre të vogla që po kalojnë sfidën e vendeve në zhvillim", tha më pas ai lidhur me rolin që luan Fondi Monetar Ndërkombëtar në menaxhimin e krizave.

E duke folur konkretisht për vendin tonë lidhur me një fakt të tillë, shtoi se stimujt ekonomikë shmangën situatën e krizës ekonomike.

"Efektet e krizës vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në gjithë ekonominë globale. Eshtë e rëndësishme që të nisim të mendojmë dhe të debatojmë për hartimin e politikave që ndihmojnë stabilitetin ekonomik të vendit", përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE