English

Dialogu i PD, PS "jep" axhendën e takimeve

Tiranë, 8 mars, NOA - Partia Socialiste e ka cilësuar si diçka pozitive vendimin e kryeministrit Sali Berisha për të dialoguar me shqiptarët. Në emër të PS-së ka qenë deputeti Eduard Shalësi, ai që i ka sugjeruar kryeministrit Berisha se cilat shtresa duhet të takojë gjatë takimeve me qytetarët.

"Përpara se të bëjë demagogjinë e tij të radhës, Sali Berisha duhet t'u shpjegojë shqiptarëve arsyen pse fatura e energjisë elektrike është shtrenjtuar kaq shumë?

Përse çmimet e shportës si vaji, sheqeri, frutat dhe perimet janë bërë të papërballueshme?

Sali Berisha duhet t'u thotë pensionistëve çfarë duhet të bëjnë më parë, me pensionet qesharake që marrin - të paguajnë ilaçet që rimbursohen gjithmonë e më pak apo të paguajnë faturën e ujit që po shtrenjtohet bashkë me faturën e energjisë?", u shpreh Shalësi.

Reagimi i PS-së ka ardhur pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë për të nisur takimet me zgjedhësit dhe për tu shpjeguar gjithë arritjet dhe mosarritjet e qeverisë. Duke vijuar me problematikën që ka sot vendi, Shalësi ka deklaruar se Berisha duhet të bëjë një ndalesë në Orikum e të përballet me gratë, nënat dhe motrat, që edhe sot, në 8 Mars, detyrohen të protestojnë për pronën.

m.xh/NOA

KOMENTE