English

FMN: Jemi kundër amnistisë fiskale

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 8 mars, NOA - Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër në parim, ndaj nismës së qeverisë për një amnisti fiskale në vend.

Sipas përfaqësuesit të FMN-së, Geruin Bell, i cili pati takim me deputetët e komisionit parlamentar të Ekonomisë, një politikë e tillë nuk pritet të ketë impakte të qëndrueshme, në mbledhjen e taksave.

Duke iu referuar burimeve pjesëmarrëse në këtë mbledhje, përfaqësuesi i FMN-së është shprehur pro idesë për legalizim të aseteve të padeklaruara, por jo për amnisti të evazionit fiskal.

Prej disa javësh biznesi ka bërë një propozim për amnisti, e cila është pranuar në parim nga qeveria, por ende nuk është konkretizuar skema që do të aplikohet.

Një tjetër shqetësim i FMN-së ka qenë edhe rritja ekonomike e Shqipërisë, e cila për këtë vit do të jetë e ulët. FMN ka deklaruar se hartimi buxhetit të shtetit shoqërohet gjithnjë me shifra të larta, të cilat zor se arrihen të zbatohen.

Njëkohësisht, institucioni i cili mbaroi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare pak ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka sugjeruar se qeveria duhet të ulë më tej shpenzimet operative dhe jo investimet, sikundër ka vepruar, për të konsoliduar buxhetin aktual.

Geruin Bell ka ripërsëritur qëndrimin e institucionit që ai përfaqëson se Shqipëria duhet të ulë sa më shpjet borxhin publik, për të ruajtur treguesit fiskal.

n.e/NOA

KOMENTE