English

Braktisen partitë në Maqedoni

Shkup, 12 mars, NOA - Në radhët e shqiptarëve dita-ditës po shtohet numri i të papërcaktuarve politikë dhe që në vazhdim e sipër po bojkotojnë zgjedhjet. "Instituti për Studime Politike" vlerëson se partitë politike duhet të mendojnë seriozisht se çfarë ti ofrojnë elektoratit shqiptarë, duke i prekur problemet e tyre dhe jo duke u marrë me pamflete dhe oferta të shkruara burokratike. Realiteti për numrin e madh që qytetarëve që abstenojnë zgjedhjet është vlerësuar si shqetësues edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në Maqedoni vazhdon të shënojë rritje numri i qytetarëve të papërcaktuar, që nuk dalin në zgjedhje dhe janë të zhgënjyer nga politika ditore dhe partitë politike. Shqetësimi dhe rënia drastike e numrit të votuesve është vërejtur edhe tek partitë shqiptare, të cilat po përballen me këtë realitet.

Numri i atyre që po braktisin politikën apo që nuk dëshirojnë të dëgjojnë fare është alarmant dhe se ky realitet po pranohet edhe në taborret politike.

Heqja e vizave nga dhjetori i vitit të kaluar, krijoi edhe më tej probleme, pasi që edhe reprezentues lokal të degëve e nëndegëve braktisën radhët e partive të tyre, duke ikur jashtë vendit. Kësaj shifre i bashkëngjiten edhe familjet e shumta që ia mësyn botës perëndimore duke kërkuar fatin në disa nga vendet euro-perëndimore.

Agjenci dhe institute të ndryshme dalin me të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të qytetarëve të papërcaktuar në Maqedoni. Se qytetarët po humbin interesin për të votuar treguan edhe zgjedhjet e fundit, ku mezi u përmbush cenzusi i kërkuar prej 40 për qind të votuesve.

Mbi 70 % me arsim të mesëm dhe të zhgënjyer

Zgjedhjet e fundit treguan se mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo rreth 800 mijë veta bojkotuan në heshtje dhe nuk dolën në ditën e votimeve. Instituti "Brima Gallup" në një studim bën të ditur se mbi 70 për qind e qytetarëve që kanë të drejtë vote janë me nivel të ulët të arsimit dhe se ata shumë pak janë të interesuar për të mbështetur apo votuar ndonjë parti politike. Kjo shumicë e konsiderueshme është vendimtare për fitoren e çdo partie politike. Instituti "Brima Gallup" vlerëson se kjo kategori e qytetarëve përfshin të varfëritë, banorët e zonave rurale, bujqit, blegtorët dhe gjithë ata që shumë pak prekin përfitimet nga shteti, etj.

"Tendencat janë se njerëzit shumë pak janë aktiv në shoqëri. Kjo kategori është shumë e dëshpëruar, e deprimuar politikisht, me besim të humbur dhe të cilët janë të zhgënjyer. Ata nuk kanë asnjë motiv për të dalë në zgjedhje. Megjithatë ata mund të shfrytëzohen nga ndonjë autoritet, ku e gjejnë shprehjen e mllefit dhe shqetësimit. Andaj edhe së fundi disa nga kategoritë e këtyre qytetarëve po presin politikanë të caktuar për tia shprehur problemin e tyre", ka theksuar drejtori i Institutit "Brima Gallup", Gjorgji Kimov.

Zhgënjim i madh tek shqiptarët

Se gjendja është shqetësuese tek elektorati shqiptar dhe mbretëron një zhgënjim total, këtë e konfirmojnë edhe pranë Institutit për Studime Politike në Shkup, ku theksojnë se armata e të papërcaktuarve tek shqiptarët është një dukuri e rrezikshme, që me kujdes duhet të analizohet dhe të ketë sado pak një zgjidhje.

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Rizvan Sulejmani vlerëson për agjencinë e lajmeve INA se situata është serioze dhe kjo ka ardhur sipas tij nga humbja e besimit të qytetarëve tek autoritetet e lidershipit politik shqiptar. "Kjo situatë është shumë serioze, pasi që njerëzit dita ditës humbin besimin tek politika. Nga ana tjetër, kemi humbje të autoritetit të lidershipit shqiptarë. Përveç kësaj është evidente edhe mungesa e alternativave dhe ideve të reja politike që mund të përfshijnë realisht kërkesat dhe nevojat e qytetarëve", ka theksuar analisti Sulejmani.

Por, cila është zgjidhja apo vlerësimi i këtij Instituti që partitë duhet ti ofrojnë zgjidhje dhe të jenë afër qytetarëve. "Duhet të ketë programe dhe ofertë që do ti prekë drejtpërdrejt problemet e qytetarëve dhe jo të kemi programe burokratike. Të ketë zgjidhje reale që i tangojnë qytetarët dhe kjo vjen nëpërmjet alternativave të reja që ofrojnë solucione", vlerëson Instituti për Studime Politike, duke nënvizuar se partitë politike duhet të mendojnë seriozisht se çka i ofrojnë qytetarëve.

Qytetarët: Boll na kanë rrejt

Një pjesë e qytetarëve të anketuar tregojnë preferencat e tyre politike, por një pjesë e madhe theksojnë se janë të zhgënjyer nga gjitha ato oferta politike. Sedat Rahimi nga Kumanova thekson se është i zhgënjyer nga gjitha partitë politike, për shkak se ai gjithnjë ka shpresuar se do të ndryshojnë gjërat, por më në fund vlerëson se ka ngelur i zhgënjyer tejmase. "Unë gjithnjë kam votuar, por së fundi vështirë se do të dal. Nuk ka asnjë zgjidhje konkrete, por vetëm mashtrim dhe si e shof ky vend veç po shkon drejt izolimit. Nga ana tjetër, edhe dobësia e partive politike shqiptare dhe lojaliteti ndaj pushtetit maqedonas po tregon se duhet një qasje më ndryshe", vlerëson 38 vjeçari, Sedat Rahimi, i cili thotë se është votues i rregullt. Ndërsa, Idriz Agushi nga Tetova thekson se nuk e ka ndërmend të dalë në zgjedhje. "Unë po krijojë një biznes të vogël në shtëpinë time dhe në tokën time dhe deri tani nuk kam pasur asnjë leverdi, sepse nuk ka ardhur kush të më drejtojë apo të më shpjegojë se çfarë mund të përfitojë nga ky shtet, ndonjë punë, ndonjë ndihmë apo diçka tjetër. Ata vetëm marrin nga ne gjithnjë, ndërsa nuk ofrojnë asgjë", thekson Idrizi, i cili mbijeton edhe me përkujdesjen nga familjarët e tij të ngushtë që punojnë jashtë vendit.

Të gjitha parametrat dhe analizat e përgjithshme flasin për një shqetësim të madh që vjen nga gjithë ajo masë e të papërcaktuarve, që kanë humbur shpresën tek politika ditore.

NOA-INA

KOMENTE