English

Ushqimet, ekspertët: Të çertifikohet cilësia

Tiranë, 12 mars, NOA / Blerina Ahmetaj - Siguria ushqimore dhe garantimi i cilësisë së produkteve që eksportohen është një nga kushtet që Bashkimi Evropian i ka vënë qeverisë shqiptare në Pyetësorin që po aplikohet në të gjitha fushat. Ekspertë shqiptarë pranojnë faktin se produktet ushqimore shqiptare e kanë të vështirë të konkurojnë në tregjet ndërkombëtare. Kjo reflektohet në nivelin e ulët të mallrave që eksportohen nga vendi ynë drejt vendeve të tjera.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë së parë në vend që çertifikon cilësinë e produkteve ushqimore "Albinspekt", për të rritur nivelin e konkurueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, produktet shqiptare duhet të garantojnë cilësi.

Rritja e sigurisë ushqimore përbën një nga prioritetet e politikave të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2010.

Zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, deklaroi sot se ministria do të rrisë mbështetjen për fermat që prodhojnë produkte biologjike, pavarësisht buxhetit të kufizuar.

Kjo deklaratë vjen pas vizitës së ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli në disa prej subjekteve dhe bizneseve bujqësore në fshatrat e Durrësit dhe Tiranës.

Ruli theksoi se investimi në prodhim dhe agro-përpunim jo vetëm që është me leverdi, por në të njëjtën kohë mbetet dhe alternativa më e mirë e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit.

"Janë dhjetëra prodhues të vegjël, që pas përvojave të tyre në vendet e Bashkimit Europian kanë ngritur dhe po zhvillojnë me sukses biznese bujqësore në të gjithë vendin. Shumica e këtyre bizneseve, falë edhe futjes së teknologjisë bashkëkohore po prodhojnë sipas standardeve evropiane, ndonëse për to nuk ka subvencione siç ndodh me vendet e BE", u shpreh Ruli.

Deklarimet e tij ministri i bëri pas vizitave që zhvilloi në disa prej subjekteve dhe bizneseve bujqësore në fshatrat e Durrësit dhe Tiranës.

Ministri Ruli vizitoi gjithashtu edhe Institutin e Bujqësisë Biologjike bashkë me ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, znj Yvana Enzler.

Në vitin 2001, qeveria zviceriane ka nisur projektin "Mbështetje për Bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri (SASA)", me qëllim mbështetjen financiare dhe teknike për bujqësinë BIO, në bashkëpunim të ngushtë me SHBO.

Aktualisht, po vijon projekti për përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve të zonave rurale nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe tregtimin e produkteve në tregun vendas dhe atë të eksportit.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE