English

Markoviç: Biseda ime me Metën në Preshevë

Beograd, 13 mars, NOA - Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Vendore, Milan Markoviç, gjatë vizitës me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta në Preshevë ka deklaruar se me diplomatin shqiptar është rënë dakord që të punohet më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Zyra e shtypit të ministrisë së Jashtme, publikon sot të plotë deklaratën e ministrit serb, Markoviç.

"Ne do punojmë për të ardhmen që ata të kenë një jetë më të mirë. Dhe siç biseduam me z. Meta gjatë 4 orëve rrugë nga Beogradi deri këtu, kemi prekur të gjitha temat që janë me interes dhe kemi renë dakort se do të angazhohemi që gjithçka të bëhet më mirë.

Mendoj se kjo vizitë e z. Meta është një kontribut sidomos për marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë dhe Serbisë", ka thënë ministri Serb.

Ai ka vlerësuar dhe vizitën e Metës për marrëdhëniet mes dy vendeve: "Nuk ka dyshim se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë dhe mendoj se gjithçka po bëhet në mënyrë që marrëdhëniet Tiranë - Beograd të jenë më të mira në të ardhmen".

"Unë mendoj, - vijoi z.Markoviç, - se biseda që z. Meta ka zhvilluar me Presidentin Tadiç dhe Ministrin e Jashtëm Jeremiç është një garanci e mirë që ditë më të mira do të pasojnë. Ne po punojmë që të avancojë jeta e të gjithë njerëzve, veçanërisht për banorët e Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjes, në mënyrë që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të ndritur; por jo siç ka ndodhur në të kaluarën".

"Unë gjithmonë u kam thënë kolegëve të mi të luginës së Preshevës se ne nuk duhet të lejojmë që të rinjtë dhe fëmijët të mbahen peng nga e kaluara", ka thënë Markoviç.

m.xh/NOA

KOMENTE