English

Pollo: Pagesa e faturave, me celular

Tiranë, 17 mars, NOA - Brenda këtij mandati qeverisës të së djathtës, edhe banori i krahinës më të largët, përmes celularit të tij do të mund të paguajë faturat e dritave, ujit, telefonit.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri i Shtetit për Reformat, Genc Pollo, në takimin Evropa Juglindore Elektronike, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Gjatë këtij takimi, Pollo deklaroi ndër të tjera se "është bërë një përparim i mirë në procesin e miratimit të legjislacionit të shoqërisë së informacionit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian".

Në këtë kuadër, ai përmendi, miratimin e ligjeve "Për Komunikimet Elektronike", "Për Nënshkrimin Elektronike", e së shpejti ligjin për dokumentin elektronik; ligjin "Për Tregtinë Elektronike"; "Për Mbrojtjen e Të Dhënave Elektronike" dhe legjislacioni për Cyberkrimin e së shpejti për databazat.

Por ai shtoi edhe arritje të tilla të qeverisë në këtë kuadër si miratimi vitin e kaluar i një strategjie të re për shoqërinë e informacionit, si dhe ajo për "Shkencën, Teknologjinë, dhe Inovacionin", ndërsa tha se janë themeluar prej tre vjetësh Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe së fundmi Agjencia për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (AKTI), si dhe institucioni i Ministrit të Shtetit si përgjegjës për TIK dhe Komunikimet Elektronike dhe Postare.

n.e/NOA

KOMENTE