English

Teatri i Metropolit "trazon" publikun

Tiranë, 17 mars, NOA / Milena Selimi - E diela në Teatrin e Metropolit "trazon" publikun e kryeqytetit me dy shfaqje paralele: "Playboy i trojeve tona" me regji nga Kiço Londo dhe stand-up-comedy "Drejt Lirisë", me autor-aktor, Erand Sojlin, në dy orare të ndryshme, 21.00 dhe 20.00, në dy salla të kompletuara dhe funksionale për shfaqjet alternative, duke krijuar një komunikim të gjallë me publikun në kohë reale.

Në të vërtetë, ajo që ofron sot ky Teatër i ri i Tiranës, është zgjedhja e repertorit, (një kujdes ky i përcaktuar drejt dhe saktë) dhe autorët bashkëkohorë.

Ndoshta për këtë arsye, artdashësit që kërkojnë të shijojnë magjinë e teatrit ndalen në këtë teatër dhe vendosin sipas preferencave të tyre autorin, aktorin dhe kuriozitetin për një vënie skenike.

Jo më kot sallat e shfaqjeve, prej një jave, kanë qenë të mbushura me spektatorin, që u përket grupmoshave të ndryshme, duke sjellë edhe një publik të ri, të munguar në teatrin shqiptar.

Vetëm dy vjet më parë, drejtori i Qendrës Metropolitane, Kiço Londo, njoftonte për mediat ardhjen e një hapësire të re teatrore në Tiranë.

Ambicja ishte e madhe, dëshira dhe pasioni i njerëzve të përkushtuar për teatrin, nuk mungonte. Regjisori i mirënjohur, me një trazim të vazhdueshëm për këtë art të fjalës premtonte jo vetëm hapësira të reja për aktorët e sapodiplomuar të Artit Skenik, por edhe salla të reja, që do të kërkonin koncepte, ide dhe rryma të reja teatrore në skenën shqiptare.

Ky teatër e nisi rrugën e tij si një "Far në anë të detit" ku në pak kohë ka drejtuar dhe ka tërhequr drejt vetes krijues, regjisorë, aktorë të rinj, duke iu dhënë mundësinë të shprehin ndjesitë, aftësitë dhe dashurinë e tyre për teatrin.

Salla "Bodrum" ndërtohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të funksionojë për performanca kontemporane, eksperimentale, do të ndihmojë aktorët dhe regjisorët për zbulimin e zhanreve dhe rrymave te reja teatrore.

Risia që sjell "Playboy i trojeve tona" është provokimi i trazimeve shpirtërore, ku autori Synge, me të gjithë poetikën dhe filozofinë e dramaturgjisë na ngre peshë për të kuptuar nënshtresat psikologjike të njerëzve të ndrydhur, të frustruar dhe të tjerëve që kërkojnë të "çlirohen" nëpërmjet mitit të heroit.

I konsideruar nga kritika e si një mjeshtër i shkrimit të dialogeve të gjallë, të mbushur me ekzaltime dhe imagjinatë shumëngjyrëshe, stafi I aktorëve të rinj mbajti të gjithë peshën e vështirë të perceptimit të saktë dhe të drejtë të personazheve që rrotullohen në një stallë, ku kashta dhe era e fshatit, në një konceptim regjisorial na kujton Shqipërinë e sotme, me rrethrrotullimet rreth vetes dhe drejt miteve që i ngremë dhe i ulim, sipas perceptimeve individuale.

Një shfaqje, e cila kaloi një premierë të shkëlqyer me aktorët: Lulzim Zeqja, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Marsela Lena, Besmir Bitraku, Redian Mullaj, Sesilia Plasari, Alban Musa, Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari, ku ndihet kërkesa për një teatër ‘ndryshe' të fjalës dhe veprimit.

Një këndvështrim tjetër për vendin tonë na vjen në stand-up-komedia "Drejt Lirisë", ku ikja, ky fenomen 20-vjeçar, i ulur këmbëkryq në shpirtrat tanë vazhdon të "trazojë" mendjet ikanake të shqiptarëve.

Tragji-komedia e cilësuar nga kritika "Një pjesë e guximshme dhe plot kurajo" po vazhdon të gozhdojë spektatorin shqiptar, duke thyer edhe tabutë edhe tashmë jashtë kufijve, në trevat ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët.

Shfaqja, e ndërtuar mbi një tregim komik, na tregon saktë sesi duhet të shohim brenda vetes për të kuptuar kush jemi dhe ku duhet të shkojmë.

Në një interpretim plastik që zotëron situatat, aktori Sojli komunikon me sallën dhe na sjell shembuj sesi duhet të jetë një aktor i sotëm i skenës, duke shfrytëzuar fjalën, gjestin, pantomimën, tingullin.

Një regji, e cila arrin të ndërtojë bukur situatat, kërkon detajin dhe gjen format ku të ndërveprojë salla me aktorin. Shfaqja na mban të gozhduar edhe falë gjetjeve të Budinës, i cili me detajet-projeksione vizive ndërton bukur të sotmen dhe të shkuarën.

Dy shfaqje-paralele në një të diel në Teatrin e Metropolit do të kërkojnë padyshim praninë e spektatorit, atij që do të arrijë të gjejë vetveten në magjinë që sjell arti i fjalës. Misioni i kërkimit në ide, formë dhe koncept regjisorial, duket se mbetet një nga qëllimt kryesore që ky teatër i ri i ka vendosur vetes, duke sjellë jo vetëm shfaqje me nivel artistik, por edhe autorë kontemporanë dhe që i bëjnë mirë përballjeve të sotme teatrore.

Energjia, dashuria, pasioni dhe profesionalizmi i një stafi të rinjsh aktorësh është vetëm vazhdimi i ambicjes së Teatrit të Metropolit, që po bëhet një hapësirë e rëndësishme në jetën teatrore të kryeqytetit.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE