English

Emrat, arrestohen 5 persona për kontrabandë në Rinas

Tiranë, 18 mars, Update, NOA- Dy punonjës të doganës në Rinas dhe tre tregtarë mallrash janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pas një hetimi 3 mujor për kontrabandë.

Policia e Tiranës bënë të ditur se personat e arrestuar janë; Basri Toçilla, 37 vjeç dhe Gjin Dedndreaj 61 vjeç, të dy me detyrë doganier. Ndërkohë që tre tregtarët e arrestuar janë, Shkëlzen Hasani, 37 vjeç, Renato Sinoimeri, 37 vjeç dhe Astrit Sela, 57 vjeç.

Përveç dy doganierëve të arrestuar, policia njofton se janë në ndjekje penale dhe dy doganierë te tjerë, për të cilët bëhen të ditur vetëm inicialet dhe mosha; P. P, 45 vjeç banuese në Tiranë, me detyrë doganiere dhe S.G, 51 vjeç, banues në Tiranë, me punë përgjegjës turni në degën e Doganës Rinas.

Operacioni i koduar "Rinas I" është organizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar.

Bashkë me pesë të arrestuarit janë sekuestruar një sërë mallrash, konfeksione. Bëhet fjalë për 680 copë veshje (kostume femrash), 500 copë forma për femra, 60 copë funde femrash.

"Në sajë të posedimit të informacioneve të vlefshme mbi veprimtarinë e tyre si dhe një hetimi afro 3 muaj u bë e mundur kapja e tyre në autostradën Tiranë -Durrës, në afërsi të kilometrit të gjashtë, ku u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë të shtetasve", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Sipas policisë dyshohet se në bashkëpunim me tregtarët, doganierët kanë lejuar të kalojnë në pikën Doganore të Rinasit një sasi malli i cili pasi u kontrollua rezultoi se nuk kishte dokumenta shoqërimi.

m.xh/NOA

KOMENTE