English

Euroimage miraton projektin e parë filmik shqiptar

Tiranë, 19 mars, NOA/ Milena Selimi - Vetëm dy javë pas vizitës së sekretarit të Përgjithshëm të "Euroimages" në Tiranë, Roberto Olla, miratohet projekti i parë filmik shqiptar nga ky institucion i rëndësishëm.

Lajmi vjen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ku thuhet se "Bordi i projekteve të Euroimages ka miratuar, në mbledhjen plenare të 17 marsit, mbështetjen financiare të filmit "Përtej Amnistisë", me regji të Bujar Alimanit".

Filmi do të realizohet si një bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez, i cili financohet nga "Euroimages" me shumën prej 120.000 euro, i barabartë me rreth 15 % të buxhetit të filmit.

Projekti filmik u paraqit dhe u mbrojt para Bordit të Bashkëprodhimeve të "Euriomages" nga përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë pranë "Euroimages", kryetarit të QKK, Artan Minarolli dhe Roland Sejko.

Filmi i Alimanit është një histori dashurie e pamundur në Shqipërinë e tranzicionit dhe mbetet i pari projekt filmik i paraqitur nga Shqipëria në bordin e "Euroimages".

Shqipëria u pranua në këtë organizëm ndërkombëtar të Këshillit të Evropës vetëm tetë muaj më parë, duke u cilësuar nga kineastët dhe drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Filmit, si një dritare që nxit projektet dhe kinematografinë shqiptare në realizime bashkëkohore.

Projekt-Filmi "Përtej amnistisë" i regjisorit Bujar Alimani ishte refuzuar për financim një vit më parë nga QKK-ja.

Mbledhja e bordit të projekteve të "Euroimages" u mbajt në Stamboll nga 13 -17 mars. Bordi shqyrtoi 34 kërkesa filmike bashkëprodhimi nga të cilat u miratuan 14.

Regjisori Alimani ka nisur punën për këtë projekt, duke u shprehur më parë në media se "Do të punoj edhe me financime personale". Ai prej disa muajsh ka përcaktuar vendet e xhirimit, që do të realizohen në qytetin e Pogradecit.

Bujar Alimani jeton dhe punon në Greqi, ndërsa ka kontribuar në vepra filmike me filmat e shkurtër "Katoi", "Gas" dhe "Busulla", të prezantuara me dinjitet në festival ndërkombëtare të filmit të shkurtër.

Regjisori tentoi vitin e kaluar edhe në teatër me monodramën e vënë në skenë "Rouz", të dramaturgut amerikan Martin Sherman, monodramë e cila ringjiti në skenë aktoren e mirënjohur, Drita Pelingu, një grua hebreje 80-vjeçare, e cila rrëfeu dramën dhe dashurinë e saj përmes një udhëtimi të dhimbshëm.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE