English

Rama, apel qytetarëve: Protesta kundër qeverisë

Tiranë, 20 mars, Update NOA - "Kjo qeveri duhet të largohet dhe shqiptarët duhet të ngrihen në protestë për të larguar këtë qeveri, si në çdo vend demokratik". Ky është qëndrimi që Partia Socialiste do të mbajë në ditët në vijim, pas dështimit të negociatave për të gjetur një zgjidhje të situatës politike në Kuvend.

Lëvizja e re politike e opozitës është bërë publike sot nga kryetari i PS-së, Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

"Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Parlamentin", u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke shtuar se opozita ka gjithë të drejtën të kërkoj largimin e qeverisë me protesta popullore.

Në gjithë fjalën e tij para gazetarëve, Rama theksoi se opozita do të ndryshojë veprimin politik, duke kërkuar, jo vetëm hetimin zgjedhjeve dhe duke ngritur zërin për të gjitha problemet që kanë sot qytetarët, por edhe largimin e qeverisë.

"Apeli ynë për qytetarët është, protestë dhe vetëm protestë, sepse çdo gjë që shkon mbrapsht në jetën e tyre, i ka rrënjët te ato kuti të mbyllura", u shpreh Rama.

Ai theksoi se aksioni i ri i opozitës, pas dështimit të negociatave është i detyruar nga sjellja e mazhorancës. Ndërkohë që e quajti të padobishëm vendimin që mori dje Kuvendi për ngritjen e Komisionit Hetimor.

"Do të jemi bashkë me njerëzit kudo për të drejtuar një proces që duhet të sjellë procesin e zgjedhjeve në normalitet. Nuk është momenti për të dhënë shpjegime, i kemi dhënë me kohë dhe të gjithë e dinë se rezultati i 28 qershorit është shumë i ndryshëm nga ai që jep mazhoranca", u shpreh Rama.

m.xh/NOA

KOMENTE