English

Banka e Shqipërisë: Ka rënë konsumi

Tiranë, 24 mars, NOA / Rajmonda Lajthia - Kriza ekonomike po thellon gjithnjë e më shumë efektet e saj negative duke prekur edhe konsumin familjar, duke folur për rënie të fuqisë blerëse në vendin tonë.

Nga ana tjetër, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe kjo tendencë parashikohet të vijojë edhe në muajt në vazhdim, e ky konstatim vjen nga Banka e Shqipërisë, e cila rendit edhe arsyet e kësaj situate.

Gjatë një konference për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani pohoi se "aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit".

"Treguesit më të fundit të ekonomisë reale, si treguesit e shitjeve, treguesit monetarë dhe ata të besimit, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010.

Stopimi i investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rënia e importit të mallrave kapitale dhe rritja e ulët e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti", tha Fullani.

Nga ana tjetër, ai shtoi se "ritmet më të moderuara të rritjes së punësimit dhe të pagave, tkurrja e kredisë konsumatore, ecuria e dobët e shitjeve me pakicë, tregojnë për një frenim edhe të konsumit aktual dhe atij të pritur në periudhën afatshkurtër".

Ky fakt është pranuar edhe nga INSTAT, i cili pak ditë më parë publikoi tregtinë me pakicë, ku sipas të dhënave të tij, konsumatorët kanë reduktuar blerjet, duke i përqendruar ato vetëm tek mallrat e domosdoshëm, si ushqime apo medikamente.

Por në një kohë që zyrtarët u bëjnë apel bankave të kreditojnë ekonominë, bizneset ankohen për norma të larta interesi.

E ky fakt ka ardhur si pasojë e rritjes së shpejtë të kredive me probleme.

Sipas guvernatorit, kreditë me probleme kanë arritur në 10.5 %, megjithatë ato parashikohet të ulen në 6-mujorin e dytë dhe më tej në vitin e ardhshëm.

Guvernatori vijoi më tej duke u shprehur se nuk ka vend për panik se kriza greke mund të ndikojë në sistemin tonë bankar.

Edhe pse një shqetësim i tillë u ngrit një ditë më parë edhe nga ministri i Financave, guvernatori garantoi mbikëqyrje të rreptë ndaj bankave në vendin tonë.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE