English

Gjiknuri: Mazhoranca na provokoi me komisionin hetimor

Tiranë, 24 mars, NOA - Për Partinë Socialiste, ngritja e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve është një provokim dhe përgjegjësinë për pasojat e që mund të sjellë mungesa e konsensusit duhet ta mbajë vetëm qeveria. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste, i cili është bërë i ditur nga deputeti, Damian Gjiknuri.

"Partia Socialiste risjell edhe njëherë në vëmendjen e opinionit publik shkeljen e hapur të rregullores së Kuvendit nga ana e mazhorancës qeverisëse në ngritjen e njëanshme të "pseudo" Komisionit Hetimor për zgjedhjet. Ky akt provokativ, ka rënduar më thellë krizën politike në vend, pasi vret çdo mundësi kompromisi për zgjidhjen e krizës", u shpreh Gjiknuri.

Deputeti i PS-së, në fjalën e tij, u ndal dhe në reagimin e ndërkombëtarëve duke i cilësuar ato në favor të qëdrimeve të opozitës. "Nuk është rastësi, që edhe partnerët ndërkombëtarë e kanë dënuar një veprim të tillë, pasi për ta si për çdo demokraci të vërtetë, rregullat e sjelljes dhe vendimmarrjes në kuvend janë e vetmja garanci që e bëjnë një parlament pluralist funksional", u shpreh Gjiknuri.

Ai ka theksuar se sjellja e mazhorancës po e mban jashtë Kuvendit opozitën dhe gjetja e mundësive të dialogut është ende larg.

"Gjetja e kompromisit bëhet e pamundur për aq kohë sa mazhoranca, jo vetëm ndërmerr veprime për ngritje pseudo komisionesh hetimore si ai i ditës së premte, por edhe përpiqet me kokëfortësi dhe pa asnjë sens logjike t'u mbushë mendjen partnerëve ndërkombëtarë se votimet politike të njëanshme mund të quhen kompromis", u shpreh Gjiknuri.

m.xh/NOA

KOMENTE