English

Bujar Nishani: Po punojmë për zbatimin e standardeve të BE-së

Tiranë, 26 mars, NOA - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, thotë në intervistë me DVelle se përputhshmëria legjislative e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, është një standard permanent.

Nishani e konsideron si mjaft të frytshme dhe ndihmën e Gjermanisë. Sipas tij, përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të standardeve europiane është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit në BE.

Z.Nishani, ç'mund të na thoni për procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së?

- Çdo akt ligjor, jo vetëm i hartuar nga institucioni i tij, por dhe nga të tjerat, para se të shkojë për diskutim e miratim në Parlament, duhet të krahasohet me përputhshmërinë që ai ka me legjislacionin e BE-së. Ministritë e linjës që hartojnë projektligje kanë një drejtori të posaçme të integrimit evropian dhe kjo strukturë bën ekspertizën e përputhshmërisë ligjore.

Në këtë kuadër në ministrinë e drejtësisë funksionon së pari Drejtoria e Kodifikimit brenda së cilës ka një sektor për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe me standardet e tjera që kërkon Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar nga Shqipëria me këtë organizëm.

Pastaj është dhe ministria e Integrimit Europian të cilës i kërkohet mendimi për çdo projektligj që propozohet të kalojë në parlament, pikërisht për këtë përputhshmëri.

Po ndihmat që jep misioni Euralius ku inkuadrohen?

- Përmes ekspertizës së tij, ky mision ofron të gjitha rekomandimet përmes edhe oponencës ligjore për të tëra draftet që hartohen në Ministrinë e Drejtësisë. Euralius nuk fokusohet vetëm tek ligjet dhe Ministria e Drejtësisë por dhe në institucione e operatorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, siç është Prokuroria e Përgjithshme, për aktet që bëhen nga ky institucion, këshilli i lartë i drejtësisë e në operatorë e agjensi të tjera të sistemit të drejtësisë.

Cilat janë ligjet më të rëndësishme të kohëve të fundit që janë në përputhje të plotë me legjislacionin evropian?

- Këto janë ligji për antimafian, apo dhe ligji tjetër për bashkëpunimin juridiksional me jashtë.

Ky ndihmon drejtpërdrejtë në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të Shqipërisë me ato të vendeve partnere.

Por përmend edhe ligjin ekstradimet e personave me precendentë penale, për njehsimin e vendimeve gjyqësore etj.

Aktualisht në duart e ekspertëve vendas dhe të huaj është projektligji i policisë gjyqësore, që pritet të japë lehtësim në komunikimin e kooperimin mes policisë së shtetit, prokurorisë dhe policisë gjyqësore në të gjithë fazën e hetimit.

Po bashkëpunimin me Gjermaninë si do ta vlerësonit?

- Eshtë i frytshëm bashkëpunimi me Gjermaninë. Partneriteti ka qenë jo vetëm në kuadër të programeve e projekteve të BE-së, por dhe i drejtpërdrejtë.

Për afro një vit, ministria e Drejtësisë ka pasur një këshilltar nga Gjermania pranë ministrit, i cili u fokusua në inspektoriatet e këtij institucioni.

Ka përfunduar një punë jashtëzakonisht të vlefshme për ministrinë e Drejtësisë. Ka adresuar rekomandimet e tij, të cilat do të jenë pjesë e punës për hartimin e ligjit për këshillin e lartë të drejtësisë.

Gjithashtu Dhoma kombëtare e avokatisë është duke punuar me ekspertë gjermanë për përmirësimin e punës së dhomave të avokatisë dhe lidhjet e tyre me shërbimin që duhet të ofrojnë zyrat e pasurive të paluajtshme për qytetarët shqiptarë.

Kjo përbën dhe një prioritet të punës së Ministrisë së Drejtësisë.

"Ne do të dëshironim, dhe jemi të gatshëm për ta thelluar edhe më shumë bashkëpunimin për të përfituar nga një eksperiencë jashtëzakonisht e madhe dhe e konsoliduar që ka sistemi politik, sistemi gjyqësor sistemi i drejtësisë në shtetin gjerman", thotë Bujar Nishani.

DVelle

KOMENTE