English

Demokracia e Re mban tubim informativ në Dibër

Dibër e madhe 29 Mars NOA - Demokracia e Re ka vazhduar takimet me qytetarë, duke organizuar tubim informativ në qytetin e Dibrës. Delegacioni i udhëhequr nga Kryetari i DR-së, Imer Selmani, deputetët Flora Kadriu dhe Abedin Zymberi, si dhe sekretarja e DR-së për arsim, Prof. D-r Gjylymser Kasapi informuan dibranët për situatën politike aktuale në vend, si dhe me qëndrimet e Demokracisë së Re rreth problemeve kyçe në vend.

Kryetari i DR-së para qindra dibranëve shpalosi dje qëndrimet e tij dhe të subjektit që ai drejton në lidhje me situatën e tensionuar në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, duke konstatuar se politikat dhe vendimet e gabuara të Qeverisë kanë sjellë deri në këtë situatë.

Ai tha se Demokracia e Re nuk mund të pajtohet me këtë politikë të Qeverisë, e cila tenton të shfaq Maqedoninë si shtet monoetnik, gjegjësisht vetëm i maqedonasve, si dhe tenton të krishterizojë shtetin, duke mos respektuar sekularitetin e vendit dhe barazinë e bashkësive fetare në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Selmani edhe një herë pohoi se është e palogjikshme të bëhen shpenzime me qindra miliona euro për investime jofitimprurëse, përderisa qytetarët dhe posaçërisht viset e banuara me shqiptarë po ballafaqohen me krizë të thellë ekonomike.

Sipas Selmanit, është e pakuptimtë që Qeveria të mos i destinojë këto mjete në përmirësimin e infrastrukturës, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përmirësimin e standardit jetësor në vend.

Lideri i DR-së, Selmani informoi dibranët për iniciativën e Demokracisë së Re për ndryshime kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, dhe ceku se DR-ja ka vendosur për një hap të tillë duke vërejtur majorizimin që i bëhet shqiptarëve në vitin 2010, duke mos respektuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimin e demokracisë konsenzuale.

Ai shtoi se kjo kërkesë e DR-së gjen vend edhe në miratimin e buxhetit me qëllim ndarjen proporcionale të mjeteve, si dhe në votimin e Qeverisë, pasiqë sipas Selmanit, kjo do të mundësonte stabilitet politik në funksionimin e institucioneve siç janë Qeveria dhe Kuvendi.

Koordinatorja e DR-së, Flora Kadriu informoi dibranët për punën e grupit parlamentar të DR-së. Ajo tha se pesë deputetët e DR-së janë artikuluesi më i denjë i aspiratave shqiptare për barazi dhe për implementim të drejtë dhe adekuat të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo përmendi vendosmërinë e Grupit Parlamentar të DR-së për të inicuar debat në Komitetin për marrëdhënie ndëretnike për çështje të cilat acaruan marrëdhëniet ndëretnike. Duke mos u pajtuar me bojkotin që i bëhet Komitetit nga shumica parlamentare, DR ka kërkuar ndryshime në Ligjin për komitetin për marrëdhënie ndëretnike.

Deputeti i DR-së, Abedin Zymberi alarmoi për situatën e krijuar në rajonin e Likovës, duke aluduar në ekzodusin e shqiptarëve për shkak të krizës ekonomike. Ai ceku se nëse kjo Qeveri edhe më tej vazhdon me këtë politikë diskriminuese dhe destruktive, e njëjta mund të ndodh edhe në vise tjera të banuara me shqiptarë, pasiqë sigurimi i ekzistencës paraqet problem për një numër të madh të shqiptarëve në Maqedoni.

Ai shtoi se Demokracia e Re edhe më tej do të përfaqësojë interesat e shqiptarëve dhe do të luftojë në të gjitha format demokratike për të realizuar aspiratat e shqiptarëve për status të barabartë me maqedonasit.

Sekretarja e DR-së për arsim, Prof. D-r Gjylymser Kasapi informoi dibranët me punën e Sekretariatit të DR-së për arsim dhe për programin që është duke e përpiluar ky sekretariat për të përmirësuar gjendjen e arsimit, duke i dhënë theks të veçantë sanimit të problemeve me të cilat po ballafaqohen nxënësit dhe studentët shqiptarë.

z.r/e.r/NOA

KOMENTE