English

Deputeti i PS në gjykatë: Jo pajtimit, nuk e fal deputetin e PD

Tiranë, 29 Mars NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Asllan Dogjani nuk e ka falur sot deputetin e Partisë Demokratike për qarkun e Kukësit, Fatos Hoxha në seancën e pajtimit mes tyre.

Në seancën e parë të zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, Dogjani është shprehur se Hoxha kishte shpikur në ngarkim të tij duke u shprehur më datën 25 nëntor të vitit 2009 përpara qytetarëve të Kukësit se ishte bashkëpunëtor i Aldo Bares.

Sipas tij kjo gjë nuk është e vërtetë, pasi si shef i komisariatit të Lushnjes ka qenë i pari që ka luftuar grupet kriminale dhe bandat.

Dogjani ishte prezent vetë në seancën e pajtimit, si dhe shoqërohej nga avokati i tij, Arben Shehu.

Ndërkohë që deputeti Hoxha nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej me prokurë nga avokati Mirash Martini.

Sipas mbrojtësit Martini klienti i tij ishte shprehur në kuadër të debatit politik. Avokati tha se nëse klienti i tij e ka kaluar cakun, kjo ka qenë vetëm përpara mediave.

Ndërkohë që ai ka shpjeguar se nëse çështja do të zgjidhej me pajtim atëherë klienti i tij do të ishte më i përmbajtur në deklarimet e tij. Seanca gjyqësore u shty për në datën 12 prill.

e.r/NOA

KOMENTE