English

Barnat me rimbursim, nesër në fuqi lista e 2010-ës

Tiranë, 1 prill, NOA / Blerina Ahmetaj - Duke filluar nga dita e nesërme, në të gjitha farmacitë e vendit do të vihet në dispozicion lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2010.

Vendimi i qeverisë hyn nesër në fuqi, pas afatit 15 ditor të publikimit në fletoren zyrtare dhe sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, lista do t'u vihet në dispozicion të gjithë strukturave të shëndetësisë për t'u ardhur në ndihmë pacientëve që përfitojnë prej saj.

"Lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 17 barna të reja nga të cilat disa formë-doza barnash që trajtojnë sëmundje kronike duke krijuar mundësinë e një dozimi më të mirë dhe më të përshtatshëm për pacientët. Këto barna përdoren për mjekimin e anemisë në insuficiencën renale kronike; diabetit, sëmundjeve pulmonare (të mushkërive) apo dhe të CA(kancer)", u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

Sipas ISKSH-së, me këto barna do të trajtohen kryesisht kategoritë si fëmijët, gratë, invalidët dhe pensionistët.

Kjo listë do të kushtojë rreth 5.5 miliardë lekë të reja për një vit, nga të cilat barnat e reja kushtojnë 131 milionë lekë", tha Hana.

Sa i takon barnave të reja, ka një rritje prej 2.4% në raport me totalin e shpenzimeve. Hana vuri theksin tek përmirësimi i trajtimit me medikamente të rimbursueshme për kategorinë e grave, të cilat sot kanë një vëmendje më të madhe.

"Barnat për çrregullimet menopauzike dhe fenticanazole antimykotik, përbëjnë 1.5% të barnave të reja", tha drejtoresha e ISKSH-së.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE