English

Nis seanca, replika Topalli-Xhafaj

Tiranë, 1 prill, NOA - Seanca e sotme plenare ka nisur me një përplasje mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili ironizoi në fillim të fjalës së tij se sot, 1 prilli, qenka festa e Partisë Demokratike.

Por Topalli ka reaguar duke thënë se nuk është PD që gënjen, por PS, duke nisur me sqarimin e akuzave që sipas saj janë hedhur gjatë një konference të selisë rozë kundër saj lidhur me votimin e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve.

"Keni thënë, - iu drejtua ajo një deputeteje socialiste, - se unë paskam shënuar në atë votim pro edhe emrat e Berishës dhe Metës, të cilët nuk ndodheshin në sallë, por ja ku është fleta me emrat që votuan dhe kjo nuk është e vërtetë. Kjo është gënjeshtra juaj e parë".

Më tej, ajo iu kundërvu edhe deputetit Xhafaj personalisht lidhur me akuzat që ai ka hedhur gjatë një interviste televizive, lidhur me seancën ku u votua komisioni hetimor për zgjedhjet, duke i cilësuar si të pavërteta.

Nga ana e tij, deputeti Xhafaj në fjalën e tij foli mbi kërkesën e vazhdueshme të hapjes së kutive, duke iu dhënë këshillë deputetëve të mazhorancës të "dëgjojnë sa më parë zërin e ndërkombëtarëve që kërkojnë burimin e zgjidhjes si edhe zërin e arsyes dhe atë të popullit opozitar".

n.e/NOA

KOMENTE