English

Policia çeke: Studentët e zhdukur në Shqipëri s'janë viktima të trafikut të organeve

Pragë, 4 Prill, NOA - Policia e Çekisë ka hedhur poshtë çdo mundësi për trafikimin e organeve të shtetasve çekë, që rezultojnë të zhdukur në Shqipëri që nga viti 2001. Deklarata është bërë nga shefi i policisë kriminalistike të Çekisë, Jan Noga, i cili është pyetur nga mediat për hipotezat e hedhura nga prokurori i Serbisë për krime luftës, Vladimir Vukçeviç.

"I kemi vërtetuar të gjitha mundësitë, i kemi krahasuar informacionet dhe mostrat që i kemi, dhe nuk është vërtetuar se kemi të bëjmë me tre personat e zhdukur", i tha Jan Noga, agjencisë ÇTK.

Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vladimir Vukçeviç, në fund të vitit të kaluar, deklaroi se disa nga viktimat në "shtëpinë e verdhë", në Shqipëri ishin edhe tre shtetas të Çekisë.

Hipoteza e trafikimit të organeve në Shqipëri zë fill me librin e ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte.

Studentët Çekë të humbur që ju i shihni dhe në fotot janë: Mihal Pavelka, ishte i moshës 23 vjeç, me flokë të ndritshëm ngjyrë kafe dhe të shkurtëra, sy ngjyrë blu, i gjatë 1 m e 90 cm, me trup të hollë.

Jan Pavelka, ishte i moshës 22 vjeç, me flokë kafe në gri të prera shkurt, sy ngjyrë kafe, i gjatë 1 m e 85 cm, mban syze.

Lenka Tuçkova, ishte e moshës 23 vjeç, me flokë kafe të drejta të gjata deri ne shpatulla, sy ngjyrë blu dhe e gjatë 1 m e 75 cm.

Policia e Shqipërisë, me kërkesë të policisë së Çekisë, përsëri e ka hapur hetimin për zhdukjen e studentëve çekë dhe ka ofruar shpërblim për informacione eventuale.

Ndërsa akuzat për trafikim janë hedhur poshtë nga qeveria shqiptare.

Pak javë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha zyrtarisht se vazhdojnë hetimet për gjetjen e 3 Studentëve çekë të humbur (zhdukur) në vendin tonë në verë-vjeshtën e vitit 2001, duke premtuar edhe se "për çdo informacion që çon në gjetjen e tyre në dispozicion të qytetarëve është shuma 100 mijë dollarë".

Në këtë kontekst Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, thotë se kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve Çekë në këto zona, kryesisht në Komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë dhe itinerari i lëvizjes së studentëve Çekë në vendin tonë.

Policia thotë se informacionet mbi tre studentët Çekë mund të jepen në numrat e telefonit 129, dhe 0428098, numra që janë në dispozicion të qytetarëve. m.xh/NOA

KOMENTE