English

Zbulohen abuzime me ndihmën ekonomike

Nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri tha sot për pr Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA se vetëm në 3-mujorin e parë të këtij viti numri i familjeve që gjenden abuzivisht në skemën e ndihmës ekonomike është rritur me 500 të tilla. Kjo shifër doli pas verifikimeve që u kryen në terren

Tiranë, 5 Prill NOA/ Blerina Ahmetaj - Pushteti vendor në rrethe ka rritur numrin e familjeve që përfitojnë padrejtësisht ndihmë ekonomike. Alarmi është dhënë nga inspektorët e Shërbimit Social Shtetëror të cilët kanë deklaruar për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA se vetëm në 3-mujorin e parë të këtij viti numri i familjeve që gjenden abuzivisht në skemën e ndihmës ekonomike është rritur me 500 të tilla.

"Këto familje që kanë përfituar abuzivisht do të hiqen menjëherë nga skema e Ndihmës Ekonomike dhe pagesa e paaftësisë. Nga inspektimet e kryera është lënë për detyrë që të kontrollohen me përpikmëri dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të gjitha familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë, të plotësohen mangësitë e vërejtura në dokumentacionin për tokën nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kadastra e Qarkut", - tha Strazimiri.

"Po ashtu, është lënë porosi që të afishohen listë-pagesat dhe të kryhet verifikimi i situatës reale social-ekonomike të familjeve përfituese të Ndihmës Ekonomike", shtoi ai.

Për të shmangur abuzimet me pagesat e ndihmës ekonomike, ministria e Punës ka vendosur të dixhitalizojë skemën e ndihmës ekonomike.

"Komponenti i parë i dixhitalizimit do të fokusohet në përmirësimin e kapaciteteve në zyrat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, më qëllim integrimin e procesit të kontrollit dhe shpërndarjes së NE në një strukturë të unifikuar me të dhëna të plota për klientin, konform të cilave ai bëhet apo jo përfitues i skemës. Në këtë mënyrë do të mund të kontrollohet nëse aplikuesi i plotëson kriteret e përfitimit të pagesës së ndihmës ekonomike dhe paaftësisë, - thonë burimet zyrtare në Shërbimin Social Shtetëror.

Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike janë 98 mijë familjeve që ndodhen nën nivelin e varfërisë, të cilat do të mbulohen nga një fond me vlerë 5.2 miliardë lekë, ose 24 për qind më shumë se Fondi i Akorduar në Vitin 2009. Nga rritja e nivelit të fondeve dhe kontrolli më i mirë i skemës, parashikohet dhe masa mesatare e ndihmës ekonomike gjatë vitit të ardhshëm të rritet në nivelin e 24 për qind.

Për herë të parë në skemë janë futur edhe rreth 1500 familje me probleme sociale.

b.a/e.r/NOA Shkruajini autores: blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE