English

Hiqet si polic, një shqiptar përdhunon dy vajza rumune në Sanremo

Shihni të gjitha fotot te Galeria

Bolonjë, 7 Prill NOA - Për të shfryrë epshet e dhunshme seksuale, një emigrant shqiptar është shtirur si polici dhe ia ka dalë në mashtrimin e tij sepse ka arritur të shtjerë në dorë dy vajza rumune që bënin prostitutën, të cilat i ka përdhunuar.

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik në Sanremo të Italisë ku edhe është arrestuar 32-vjeçari Ilmi Habili, raportoi mbrëmjen e djeshme korrespondentja e agjencisë NOA.

Dhunë seksuale, sekuestrim personi dhe vjedhje, janë akuzat me të cilat u arrestua shtetasi shqiptar Ilmi Habili, me rezidencë në Bolonja të Italisë. Ai konsiderohet fajtor për sa i përket përdhunimit të dy vajzave rumune, në Sanremo, para disa ditësh, tha zyrtarisht policia.

Nga hetimi doli se i riu shqiptar duke u hequr si një polic arriti të merrte dy vajzat rumune respektivisht nga 19 dhe 20 vjeç, të cilat ndodheshin në rrugë në zonën Taggia dhe Badalucco.

Kapja e shqiptarit u bë e mundur nga një investigim i karabinierëve të lokalitetit ku ndodhi ngjarja. Agjentët pohuan se për kapjen e të dyshuarit u nisën që nga numri i targës së makinës së tij, e cila ishte e tipit Fiat Punto dhe kishte një ngjyrë të errët.

Përcaktuese në këtë arrestim të shqiptarit ishte dhe deklarata e njërës nga vajzat e përfshira në këtë ndodhi.

E dëmtuara L.M.C nga Rumania, arriti të shkojë në hotelin "Corso" në Sanremo dhe telefonoi policinë duke kërkuar ndihmë.

E marrë në pyetje, ajo pohoi se një burrë i cili i tregoi asaj një distinktiv që rezultoi më pas se ishte i rremë dhe një pistoletë që doli se ishte lodër, e çoi në një vend të izoluar duke e përdhunuar e duke i vjedhur unazën, celularin dhe portofolin që mbante me vete.

Prostituta 19-vjeçare rumune edhe pse mjaft e shokuar nga ajo çka kishte ndodhur, ishte e vetëdijshme aq sa për të marrë numrin e targës të makinës së shqiptarit. E njëjta taktikë me sa duket është përdorur nga 32 vjeçari shqiptar dhe me prostitutën tjetër 20-vjeçare, C.I.C edhe kjo nga Rumania e cila ka konfirmuar versionin se ai hiqej si polic dhe më pas kryente të njëjtën procedurë.

Pasi e vuri në pranga Habilin, policia tha se ai kishte një precedent të mëparshëm penal për pjesëmarrje në veprimet të dhunshme.

r.b/NOA

KOMENTE