English

Berisha: Polonia humbi një nga liderët më të rëndësishëm

Tiranë, 10, prill, NOA - Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, në të cilin shpreh dhimbjen e tij për humbjen e jetës së Presidentit të Polonisë, Lech Kaczynsky në aksidentin tragjik ajror.

Berisha shprehet se me vdekjen e tij, Polonia humbi një nga personalitetet e veta më të shquara dhe të respektuara, "por edhe Bashkimi Evropian humbi një nga liderët më të rëndësishëm të vendeve anëtare".

Kryeministri Berisha e ka cilësuar lajmin e vdekjes së presidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij, drejtuesve të lartë e zyrtarëve të tjerë të shtetit polak "si një lajm shokues, jo vetëm për popullin mik polak, por edhe për çdo shqiptar dhe për të gjithë miqtë e Polonisë në botë".

Berisha shpreh solidaritetin e tij personal dhe të qeverisë për humbjen tragjike të presidentit polak. "Duke ndarë me ju dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të kombit tuaj, vdekjen e Presidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të vendit tuaj, Ju shpreh ju dhe Qeverisë suaj, familjarëve të të ndjerit President dhe të viktimave të tjera, ngushëllimet më të thella", thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.

Kryeministrit Berisha e mbyll mesazhin e tij të ngushëllimit duke ju drejtuar familjes së presidentit polak. "Ne lutemi bashkë me ju që shpirtrat e Pesidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe të gjithë atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik, të gjejnë paqen e merituar", përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha.

m.xh/NOA

KOMENTE