English

Një propozim për të mbrojtur parlamentarizmin!

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka rikthyer debatin mbi raportet mes opozitës dhe shumicës në Kuvend, pas përjashtimit për një javë të një deputeti socialist, i cili në fjalën e tij ka përdorur, sipas Kuvendit, një retorikë fyese për kryeministrin, të cilin e ka cilësuar si hajdut. Debati shihet si një shenjë e mungesës së vullnetit për të ulur tonet dhe për të krijuar një klimë mirëbesimi mes palëve, që mund të çonte më pas në zgjidhjen e krizës politike. Debati, po ashtu risjell në kujtesë qëndrime me standarde të dyfishta të kryetares së Kuvendit ndaj opozitës dhe shumicës në Kuvend

Mero Baze*

Opozita shqiptare duhet të mbrojë deputetin e saj Taulant Balla duke përsëritur paragrafin që acaroi kryeministrin Berisha në fillim të çdo seance parlamentare në shenjë mbështetjeje ndaj tij. Ky aksion është i domosdoshëm për të provokuar deri ku ka shkuar koncepti i kësaj shumice për opozitën dhe deri ku mund të përdoren standardet e dyfishta në Kuvend.

Ajo çfarë ka bërë zoti Balla në Kuvend dhe ajo çfarë ka bërë Kuvendi me zotin Balla, janë cilësisht shumë të ndryshme. Zoti Balla ka bërë detyrën e tij si opozitar dhe ka ngritur akuza ndaj kryeministrit.

Nuk di çfarë duhet të thotë tjetër një deputet i opozitës në Kuvend për një kryeministër, ndaj të cilit janë ngritur dhjetëra akuza publike dhe ligjore dhe ai është përpjekur të mbyllë me dhunë çdo gojë dhe çdo derë gjykate që ka tentuar të hetojë.

Nuk di çfarë mund të thotë tjetër një deputet i opozitës për një kryeministër, i cili ka përdorur imunitetin e një deputeti për të mbyllur një çështje, e cila hidhte dritë mbi përfshirjen e djalit të tij në trafikun e armëve, nuk di çfarë mund të thuhet tjetër për një kryeministër, i cili ka përdorur presionin publik dhe procedurat për të mbyllur një çështje që akuzonte sekserin e familjes së tij dhe vajzën e tij për pastrim parash.

Nuk di çfarë mund të thuhet tjetër për një kryeministër, i cili ka mbyllur me procedurë një proces gjyqësor, për të cilin ngrihen dyshime për mbi 200 milionë euro të përvetësuara prej tij dhe ministrit të tij për ndërtimin e një rruge. Kryeministri e ka pasur në dorë ta lërë të lirë drejtësinë dhe tani ose do të ishte pastruar nga akuzat, ose politika do të ishte pastruar nga hajdutët.

Meqë asnjëra nuk ka ndodhur, duket se objektivi i radhës i qeverisë është të pastrojë parlamentin nga opozitarët që guxojnë t'i ngrenë këto akuza në foltoren e Kuvendit. Pra, ajo që ka bërë zonja Topalli dhe Byroja parlamentare ndaj zotit Balla është tërësisht fyese për jetën parlamentare në Shqipëri, pasi vizaton dhe portretin e opozitës që ka në mendje qeveria, një opozitë, e cila të shkojë në Kuvend për të qenë gojëmbyllur dhe në një gjatësi vale me qeverinë.

Një problem i dytë që ringre kjo sjellje politike është standardi i dyfishtë i spikeres së Kuvendit ndaj gjuhës politike në Kuvend. Në atë foltore ne kemi parë zonjën Topalli të mbrojë Sali Berishën, pasi ai ka bërë akuza të rënda personale ndaj kundërshtarëve të tij. Zonja Topalli, jo vetëm që nuk e përjashtoi zotin Berisha, por e përdhunuar politikisht prej tij, doli dhe e mbrojti atë fjalor rrugaçëror të kryeministrit edhe pse përfaqëson femrat në politikë.

E njëjta kryetare Kuvendi tani përjashton nga jeta parlamentare një deputet të opozitës, vetëm pse ka guxuar t'i thotë hajdut kryeministrit.

Në këto kushte opozita duhet të dëshmojë vendosmërinë e saj për të qenë një forcë serioze opozitare në Kuvend përmes një gjesti simbolik në mbështetje të zotit Balla. Dhe gjëja më ë mirë që duhet të bëjë, është që të rimarrë togfjalëshin e shqiptuar nga zoti Balla për të cilin u përjashtua nga Kuvendi dhe ta deklarojë në çdo seancë parlamentare. Secili deputet sa herë që të flas të përmendë fillimisht atë togfjalësh për të provuar nëse zonja Topalli dhe zoti Berisha do t'i përjashtojnë të gjithë një nga një Kuvendi apo jo. Kështu jemi dhe më të qartë për standardin ku ka degraduar koncepti për opozitën në demokracinë e deformuar shqiptare.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk përfaqësojnë vijën editoriale të NOA

KOMENTE