English

Ambasadori i OSBE: "Gërdeci" nuk harrohet dot

Elbasan, 12 prill NOA Update - "Dyshoj se ndonjë prej nesh këtu apo në gjithë popullsinë shqiptare do t'i harrojë ngjarjet e Gërdecit të 15 Marsit 2008". Pohimi i z. Robert Bosch, kryetar i Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u bë sot në ceremoninë e vënies në punë të sharrave për çmontimin e municioneve të tepërta tek Uzina e Lëndëve Plasëse të Mjekësit në Elbasan.

Ai theksoi faktin se "një shpërthim i qendrës së çmontimit të municioneve shkaktoi humbjen tragjike të 26 jetëve njerëzore, plagosjen e qindra njerëzve dhe një dëm material prej disa milionë eurosh, si rezultat i ekzistencës së tonelatave me municione në gjithë vendin - trashëgimi e sistemit të vjetër komunist".

Ambasadori pohoi se tragjedia e Gërdecit solli në vëmendjen e publikut seriozitetin e kësaj situate dhe citoi se "ekzistenca e rreth 100 mijë tonë municione në vend u pranua se përbënte kërcënim serioz ndaj sigurisë publike".

Ai përmendi më tej se "u bë e qartë se kërkohej shumë më tepër punë për shkatërrimin e këtyre municioneve - por për një shkatërrim të kryer në mënyrë të sigurt".

Në përgjigje të kërkesës së qeverisë për ndihmë, - tha ambasadori, - dhjetorin e kaluar, me fonde të qeverisë daneze, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dhuroi Ministrisë së Mbrojtjes, midis të tjerash, gjashtë sharra industriale për t'i ndihmuar në punën e tyre të jashtëzakonshme për largimin e municioneve të tepërta nga ky vend..

Ambasadori përmendi edhe se dhjetorin e vitit të kaluar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri lehtësoi dërgimin e gjashtë sharrave industriale, dy në repartin e çmontimit në Mjekës dhe katër në uzinën e Poliçanit.

Prokurimi i këtyre gjashtë makinerive, u mundësua nga kontributi bujar i Mbretërisë së Danimarkës.

Ambasadori tha se këto pajisje të reja do të dyfishojnë kapacitetin e shkatërrimit të municioneve të tepërta, duke e shndërruar shumë shpejt Shqipërinë në një vend të sigurt për të jetuar.

Kurse referuar ceremonisë, tha se dita e sotme shënon momentin e rëndësishëm kur këto sharra fillojnë punën.

"Ky proces tregon edhe një herë nivelet e larta të bashkëpunimit midis Prezencës së OSBE-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me procesin e çmilitarizimit", - theksoi z.Bosch.

a.k/e.n/NOA

KOMENTE