English

Vizat, ku çalon problemi

Qeveria shqiptare dështon zyrtarisht për herë të tretë me afatin për liberalizmin e vizave. Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini, i cili është dhe një nga lobuesit kryesorë për heqjen e vizave për Shqipërinë u detyrua të pranojë sot si afatin më optimist, në rastin më të mirë të mundshëm muajin Tetor. Qeveria shqiptare, e cila dështoi për herë të dytë me afatin në muajin janar 2010, premtoi se në muajin Korrik gjithçka do të ishte e përfunduar. Por raportet e eksperteve të Bashkimit Evropian, përveç kushteve politike flasin dhe për disa kushte teknike ende të paplotësuara, siç është çështja e sigurisë së kufijve dhe trafikut të lëndëve narkotike e luftës kundër korrupsionit. Faktor Plus do t'u paraqesë sot një raport të Misionit PAMECA, i cili flet për kushtet e paplotësuara në Portin e Vlorës larg standardeve Shengen

Nga Mero Baze*

Qeveria shqiptare ka ende probleme me plotësimin e kushteve teknike për liberalizimin e vizave, dhe konkretisht me bllokun e kushteve që ka të bëjë me sigurinë e kufijve dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Shqipëria vazhdon të përfaqësojë një vend origjine dhe një pikë transiti për produktet e kanabisit, emigracionin ilegal, trafikimin e heroinës, kokainës dhe armëve drejt Bashkimit Evropian.

Një raport i Misioni Evropian të Policisë, PAMECA, në Shqipëri, pasi analizon gjendjen në Portin e Vlorës, arrin në përfundimin se të gjitha standardet në atë port janë shumë larg, ose larg standardeve të hapësirës Shengen.

Po ashtu problem përbën sipërfaqja e mbjellë me lëndë narkotike, e cila gjatë vitit të kaluar vlerësohet si pesëfish më e madhe si dhe sasia e qytetarëve të deportuar në Shqipëri nga vendet fqinjë që në vitin 2009 ishte 38 mijë vetë, nga 14 mijë që ka qenë në vitin 2005.

Ajo çfarë është e rëndë në këtë shifër alarmante të arratisjes nga Shqipëria është fakti se 85 për qind e tyre janë kthyer 72 orë pasi kanë kaluar kufirin. Pra, siç shihet kemi një situatë të pamenaxhueshme në kufij dhe një situatë skandaloze në mbjelljen e lëndëve narkotike dhe sigurinë e porteve tona.

Ky bilanc i hidhur nuk ka të bëjë, as me krizën politike, as me kërkesën për hapjen e kutive, as me kredencialet antidemokratike të kryeministrit Berisha dhe as më protestat e opozitës në rrugë. Ky bilanc i hidhur ka të bëjë vetëm me një dikaster, me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë dhe ministrin e saj Lulzim Basha.

Ministria e Brendshme që kur Basha është vendosur në krye të saj, ka pësuar një regres thelbësor, duke lënë situatën jashtë kontrollit sa i përket bimëve narkotike dhe duke shthurur praktikisht kufijtë e vendit tonë. Sipas raporteve ndërkombëtare, çdo shtetas shqiptar që kalon kufirin paguan rreth 3 mijë euro dhe se sasia e drogës, e kultivuar në zona të nxehta të vendit, po merr përmasa shqetësuese dhe për rajonin.

E gjithë kjo ka bërë që raporti i ekspertëve të Bashkimit Evropian të jetë problematik për bllokun e tretë të kushteve që ka të bëjë me rendin dhe sigurinë publike, korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet.

Efekti i parë i kësaj situate të rënduar, është shtyrja e premtimit për liberalizimin e vizave për muajin tetor në një situatë optimiste të mundshme. Por edhe pse kjo shtyrje është përgjegjësi direkte e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, Ministri i pandehur Lulzim Basha, që drejton këtë dikaster, duket se ka mbrojtjen e kryeministrit edhe në këtë rast.

Njësoj si në rastin e rrugës Durrës-Kukës, kryeministri po i del zot një ministri, i cili ka fundosur dikasterin e tij në spiralen e korrupsionit, trafikut të qenieve njerëzore dhe trafikut të lëndëve narkotike. Ky është një sinjal i frikshëm për qytetarët shqiptarë, pasi në rastin më shfajësues për Lulzim Bashën, ai është aty një ministër kukull dhe linja vertikale e kësaj ministrie që lidhet me Berishën, kontrollon gjithçka.

Në rastin më të keq, nëse Ministri Basha është vetë në krye të punëve të pista, atëherë jemi para një situate, kur ai ka arritur të implikojë kryeministrin në atë shkallë sa ky i fundit njësoj si në rastin Mediu është i pafuqishëm ta bëjë atë përgjegjës edhe pse ai në të vërtetë është rikthyer në problem për imazhin e Shqipërisë, si një vend i pasigurt, me trafik të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë qëndrime personale

KOMENTE