English

Shqiptarët e Maqedonisë: President Topi, na ndihmo!

Shkup, 14 prill, NOA - Shoqatat dhe një pjesë e partive politike në Maqedoni kërkojnë ndërhyrjen dhe ngritjen e zërit të presidentit shqiptar Bamir Topi që të shtrojë çështjen e shqiptarëve në Maqedoni në takimet me presidentin Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruevski.

Kështu shkruan sot "24 orë", duke theksuar se projekti "Shkupi 2014", imponimi i mësimit të maqedonishtes nga filloristët shqiptarë, moszbatimi i ligjeve për simbolet dhe gjuhën shqipe si dhe zvarritja e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit janë çështjet që kërkohen të shtrohen nga presidenti shqiptar Bamir Topi, gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni.

Shoqata "Illyricum Libertas" i ka bërë thirrje presidentit Bamir Topi që të shtrojë si çështje pozitën juridike dhe politike të shqiptarëve para krerëve shtetëror të Maqedonisë, pasi që sipas tij, partitë politike shqiptare nuk janë në nivel e duhur të përfaqësimit të tyre dinjitoz.

"Pozita juridike dhe politike e shqiptarëve, diskriminimi në arsim, ekonomi, sistemin gjyqësor dhe në përgjithësi në çdo sferë të jetës duhet të jenë tema të bisedave mes presidentit shqiptar dhe atij sllavo-maqedonas. Për këtë Shqipëria duhet ti tërheqë vërejtjen gjithë establishmentit sllav për pozitën e padurueshme në të cilën gjendet komuniteti shqiptar dhe ti bëjë të qartë që kjo situatë është e papranueshme" , ka theksuar kryetari i shoqatës "Illyricum Libertas", Valon Kurtishi, duke shtuar që Shqipëria duhet të shqyrtojë edhe mundësinë e bllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Por, kryetari i organizatës " Realiteti " Valon Bela deklaron të kundërtën duke theksuar se nuk duhet të presim që presidenti shqiptar të na rrëfejë problemet tona.

"Nuk mendoj që presidenti Bamir Topi duhet të na tregon problemet e brendshme që ne i kemi këtu në Maqedoni. Ata që kërkojnë që presidenti Topi të ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedone , duhet të kenë parasysh se e thyejnë rëndë të drejtën ndërkombëtare, duke u përzier në punë të shtetit tonë tjetri" , ka nënvizuar Bela, duke shtuar se përgjegjësia për problemet e brendshme bie mbi partitë shqiptare në Maqedoni. Kreu i BDK-së, Hysni Shaqiri vlerëson se temë diskutimi duhet të jetë edhe pozita e shqiptarëve, përveç agjendës për bashkëpunimin ndërshtetëror.

"Çështjet duhet të shtrohen hapur edhe sa i përket problemeve aktuale në relacionin e marrëdhënieve të brendshme ndëretnike, që janë në qendër të vëmendjes pranë institucioneve ndërkombëtare. Jam thellë i bindur se politika aktuale e qeverisë së Maqedonisë , vetëm se ka tensionuar situatën dhe ka sjellë një situatë që mund të them se është e pavolitshme për gjithë shqiptarët", ka theksuar Shaqiri, i cili konsiderohet një mik i afërt i presidentit Topi.

Presidenti shqiptar në kuadër të vizitës së sotme në Shkup, pasdite ka paraparë takime të ndara me krerët e gjitha partive politike shqiptare në ambientet e hotelit "Aleksandar Palace" në Shkup. P

araprakisht, presidenti Topi do të zhvillojë takime me krerët e lartë shtetëror, me çrast në qendër të vëmendjes do të jetë pritja dhe takimi me homologun Gjorgje Ivanov.

NOA-INA

KOMENTE