English

Hapet Qendra e re Rajonale e Metrologjisë për Veriun

Lezhë, 15 prill, NOA - Zona e Veriut do të ketë tashmë një qendër të re metrologjie. Qendra u inaugurua sot në qytetin e Lezhës nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, të biznesit dhe shoqatave të mbrojtjes së konsumatorëve.

Investimi për këtë qendër arrin në vlertin e 20 milionë lekëve. Sipas specialistëve, kjo qendër, është një arritje tjetër e metrologjisë shqiptare në rrugën e saj të zhvillimit e të përafrimit me praktikat dhe standardet evropiane dhe botërore.

Zëvendësministri i Ekonomisë theksoi se qeveria shqiptare mbështet zhvillimin e një sistemi kombëtar të metrologjisë të harmonizuar me standardet evropiane, për të plotësuar nevojat e vendit, njehsimin e procedurave dhe rregullave teknike të vlerësimit të matjeve, me qëllim eliminimin e barrierave teknike për lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe rritjen e cilësisë së jetës të qytetarëve shqiptarë.

Qendra e re Rajonale Veriore do të ofrojë shërbime metrologjike në fushën e masës, gjatësisë dhe volumeve. Këto shërbime do të sjellin përmirësime të veprimtarisë së biznesit të rajonit dhe do të mbrojnë konsumatorin nga matjet e parregullta.

m.xh/NOA
KOMENTE