English

Patozi: PS të vijë në Kuvend, ka detyrime për integrimin

Tiranë, 15 prill, NOA - "Me mungesën e vet, grupi parlamentar i Partisë Socialiste e ka konsideruar më me peshë integrimin e Taulant Ballës me rregulloren e Kuvendit apo me normalitetin e jetës parlamentare, sesa integrimin i Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë".

Kështu është shprehur kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, gjatë fjalimit të tij në seancë plenare, ku ka kritikuar protestën e deputetëve socialistë.

"Kolegët tanë socialistë janë të ftuar që të plotësojnë vendet e veta në Byro, të thonë fjalën e tyre dhe të japin argumentet e veta atje, sa herë që të jetë nevoja për të diskutuar, si kur të jetë fjala për një deputet të mazhorancës, ashtu edhe për ata të opozitës", tha më pas ai.

"Por në fakt, mungesa e kolegëve socialistë sot në këtë sallë shkon përtej "dhimbjes" për ndëshkimin dyjavor të Taulant Ballës. Ajo ka në thelb shmangien e një debati të paevitueshëm për vlerën e vërtetë që ka për Shqipërinë evenimenti i djeshëm si dhe për tonet optimiste, që vijnë nga partnerët tanë evropianë", aludoi Patozi.

Duke përfunduar se "Partia Socialiste është në të drejtën e vet për të protestuar dhe për të pretenduar më shumë hapësirë për opozitën, por ajo ka gjithashtu edhe detyrimin e madh për të kontribuar me aq sa mundet në proceset integruese të vendit".

n.e/NOA

KOMENTE