English

Të traumatizuar prej misioneve jashtë vendit, ushtarët të braktisur

Berlin, 16 prill, NOA - Vite me radhë u është dashur ushtarëve gjermanë që pas përjetimeve në luftime në Irak apo Afganistan të luftojnë për njohjen e dëmit shëndetësor të pësuar në saj të shërbimit në luftë.

Debatet mjekësore dhe burokratike i ngarkojnë të traumatizuarit edhe më shumë. I ngarkuari për ushtrinë në largim e sipër, Robbe, e quan mosnjohjen e këtyre dëmtimeve të shëndetit të ushtarëve një "skandal" dhe kërkon ndihmë më të mirë për të prekurit.

Ishte verë kur misioni u bë më i përgjakshëm për ushtrinë gjermane në Kundus në Afganistanin verior. Në 2006-ën talibanët u forcuan, atentatet u shpeshtuan. Si oficer për shtypin Andreas Timmermann-Levanas duhet ta përcillte gjendjen nga jashtë dhe ai ishte fare pranë, për shembull gjatë një luftimi disa-orësh.

Përjetime traumatike të ushtarëve

"Pashë se si fluturoi drejt e mbi mua një raketë anti-tank dhe ajo kaloi pak metra larg automjetin tonë. Në atë çast nuk ke kohë as për të pasur frikë, ajo vjen më vonë, sepse gjithçka ndodh aq shpejt dhe ti sheh surratin e terrorit dhe njëkohësisht vdekjen tënde. Je në buzë të vdekjes dhe pastaj zbret përsëri. Kjo ndodh brenda një të miliontës së sekondës".

Kundus 2006 është fillimi i një historie të gjatë vuajtjeje dhe e një beteje të gjatë të një oficeri kundër ushtrisë gjermane. Pas kthimit nënkoloneli sëmuret psiqikisht dhe që atëherë lufton për njohjen e plotë të një të ashtuquajturi dëmtim gjatë shërbimit ushtarak. Ish-korporalit Christian Bernhard iu deshën pesë vjet e gjysmë për të fituar të drejtën e vet.

Gjatë luftës së Irakut në 2003-in ai ishte pjesë e një trupi gjerman mbrojtjeje kundër armëve atomike, biologjike dhe kimike në Kuvajt, shpesh nën goditje raketash dhe me veshje mbrojtëse. Me tu kthyer në Gjermani Bernhard ka rrahje të shpejta zemre, shpërthime djerse, simptoma tipike këto të një çrregullimi post-traumatik prej ngarkesës.

"Kur dëgjoja zhurma si alarmi i atëhershëm apo ndonjë helikopter, në thelb bija në një shtangie. Rrija pranë dritares dhe s'lëvizja dot. Pra isha si i zënë në një dhomë".

Në të shumtën e rasteve ekspertët nuk i njohin shqetësimet

Por ekspertja mjekësore e cilëson granatimin si jo tejet rëndues për një ushtar në mision jashtë vendit dhe e refuzon njohjen e dëmtimit në saj të shërbimit. Tek veterani i Afganistanit Timmermann-Levanas e njëjta eksperte i refuzon pretendimet dhe dallon vetëm probleme private. Në të dyja rastet ushtarëve u duhet të apelojnë, ekspertizat ndiqen nga kundër-ekspertiza.

600 të ashtuquajtura procese për dëmtime gjatë shërbimit ushtarak ka pasur deri sot, thotë Reinhold Robbe, i ngarkuari i parlamentit gjerman për ushtrinë, më pak se një e treta janë njohur.

"Në rrethana të tilla pothuajse mund të supozosh se pas kësaj fshihet një sistem, për ta mbajtur artificialisht të ulët numrin e njohjeve".

DVelle

KOMENTE