English

Urgjent - Berisha flet nga Muriqani: Ju tregoj peripecitë e mija

Muriqan, 18 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në territorin shqiptar në rrugë tokësore dhe kur u fut në vendkalimin kufitar me Malin e ZI, Muriqan, dha një prononcim për Tv Klan që e gjeni të plotë më poshtë:

"Ju falënderoj që keni dalë dhe ju falënderoj me interesin e madh që keni ndjekur udhëtimin tim, kam shumë kënaqësi që ju takoj, t'ju përshëndes. Udhëtimi ishte i gjatë, jo pa lodhje, por motivi i tij ishte shumë më i fuqishëm. Qiejt u bllokuan, rrugët ishin të lira. Unë zgjodha rrugët për të ndarë sa më shpejt që të jetë e mundur gëzimin dhe kënaqësinë e një suksesi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, e një suksesi në të cilën qytetarët e Shqipërisë, zyrtarët e saj, miqtë e Shqipërisë, kanë kontributin e tyre të madh".

Zoti Berisha, ju keni zhvilluar një takim me ish-kryeministrin e Shqipërisë, pati një sinjal ky takim...

"Po, unë në Vjenë takova shefin historik të së majtës shqiptare zotin Fatos Nano. Por, do të më lejoni që t'ju informoj nesër gjithçka me hollësi, si për Brukselin dhe takimet e mia në Bruksel, ashtu edhe për udhëtimin tim deri në Muriqan, në të gjitha aspektet e tij. Edhe njëherë dua t'ju falënderoj shumë përzemërsisht për mënyrën se si e keni paraqitur vizitën time në Bruksel dhe në mënyrën se si keni ndjekur në mënyrë të vazhdueshme nga Brukseli deri në Shqipëri".

Në takimin që keni pasur me krerët e lartë të Bashkimit Evropian. Kemi një sinjal që Shqipëria mund të përfitojë liberalizim këtë verë?

"Unë kam jo vetëm sinjale, por kam vlerësime shumë pozitive për çdo gjë. Besoj se do të më mirëkuptoni që t'u bëjmë mediave një informacion shumë të zgjeruar nesër".

Zoti Kryeministër, do ta shënoni si një rekord tuajin personal kthimin nga Brukseli në Tiranë...

"Motivi i këtij udhëtimi ishte shumë i fuqishëm. Për mua e rëndësishme ishte që të ndodhesha një minutë e më parë në Shqipëri, bëra më të pamundurën që ta realizoj këtë në kushte të veçanta. Natën e mirë, ju falënderoj shumë".

e.r/NOA

KOMENTE