English

Eventet italiane, nesër 2 ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve

Tiranë, 20 prill, NOA - Në kuadër të sezonit "Italia dhe Shqipëria 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi", organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë nesër do të zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë përurimi i dy ekspozitave prestigjioze të artit: "Bukuri klasike" dhe "Atmosfera të Shek. XX" nga koleksioni në Ca' La Ghironda.

Këto janë piktura tepër të çmuara dhe me vlera të mëdha artistike të cilat ekspozohen për herë të parë në Shqipëri.

"Bukuri Klasike" karakterizohet nga përfshirja e një larmie temash dhe fushash kulturore italiane.

Bien në sy emrat e Annibale Carracci, Guido Reni, Guercino, Francesco Francia, Sassoferrato, Baciccio.

Edhe "Atmosfera të shek. XX" krenohet gjithashtu me një pasuri dhe shumëllojshmëri stilesh, që përshkojnë të gjithë shekullin XX.

Përmendim një numër të konsiderueshëm veprash nga artistë futuristë, duke përfshirë Roses, Balla, Depero Severini. Interesante janë punimet e grupit të metafizikëve, ku mund të gjejmë disa emra të mëdhenj si De Chirico, Morandi Carrà .

Ekspozita vazhdon me piktorë abstraktë si Mafai (Shkolla romane), Pistoletto (Arti i Varfër) Gnoli (Pop Art), Fontana, Campigli e të tjerë.

Falë veprave të piktorëve të mëdhenj italianë, por edhe të atyre ndërkombëtarë si Andy Uarhol dhe Marc Chagall, mund të përshkohen pesë shekuj pikturash të mëdha nga shek.XVI deri në shek. XX.

Në ditët që do të pasojnë, përsëri në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, këtyre dy ekspozitave të pikturës do t'i shtohet një tjetër ekspozitë mbresëlënëse, e frymëzuar nga jeta e kampionit të madh automobilistik Tazio Nuvolari.

Ekspozita "Kur shkrep Nuvolari - histori, shpejtësi, pasione" nëpërmjet fotografive të shumta, disa prej të cilave janë bërë nga vetë Nuvolari do të sjellë edhe një herë në mendje jetën emocionuese të kampionit. Dy makina antike dhe një motoçikletë të cilat janë ngarë nga Nuvolari do të ekspozohen gjatë të gjithë periudhës së ekspozitës.

n.e/NOA

KOMENTE