English

Dade: Integrimi në BE nuk arrihet me këtë qeveri

Tiranë, 21 prill, NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade tha sot se integrimi i vendit nuk mund të kuptohet vetëm me dorëzimin e pyetësorit të Komisionit Europian. Duke ju përgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha, Dade theksoi se vendi ka nevojë për reforma konkrete dhe një ekonomi më të mirë.

"Integrimi i Shqipërisë në Evropë, nuk nënkupton kurrsesi thjesht aktin formal të dorëzimit të pyetësorit të hartuar në fshehtësi, por në radhë të parë reformat, transparencën, modernizimin, zhvillimin dhe evropianizimin e vendit, duke filluar nga politika, ekonomia, shteti ligjor. Dhe këtë Sali Berisha nuk do ose nuk mundet ta kuptojë", tha Dade.

Deputetja e PS-së theksoi se vendi ndodhet në momentet me kritike, ku sipas saj shteti ka rënë dhe qeveria ka pjesë të saj ministra të korruptuar.

Ajo u ndal dhe në problemet ekonomike, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të quhet një vend normal, kur "38000 fëmijët e lindur në 2009, gdhihen që në ditën e tyre të parë të jetës me një borxh prej mbi 2000 dollarësh, thjesht e vetëm për shkak të interesave të pushtetit e pasurimit të Sali Berishës".

Nisur nga të gjitha këto, Dade shtoi se është e nevojshme që të protestohet në 30 prill për të kundërshtuar të gjitha këto veprime të qeverisë.

m.xh.NOA

KOMENTE