English

Braktisja e shkollës, MASH: Shkak janë kushtet ekonomike

Tiranë, 23 prill, NOA - Në prag të përfundimit të vitit të ri shkollor, braktisja e shkollës mbetet fenomen shqetësues për arsimin shqiptar. Sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit, 0.85 për qind e 500 mijë fëmijëve në kryeqytet braktisin shkollën dhe ky fenomen është shqetësues kryesisht në zonat periferike.

Shkak për këtë është varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike të cilat i detyrojnë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare të lënë librat për të punuar duke siguruar kështu mbijetesën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Kjo ka qenë tema e diskutimit mes zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata dhe përfaqësuesve të sindikatave të mësuesve në kuadër të javës globale të arsimit.

Zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata tha se fenomeni i braktisjes së shkollës vazhdon të mbetet shqetësuese për zona periferike ku është vendosur kryesisht popullsia e ardhur nga zonat verilindore të vendit.

Përfaqësuesit e sindikatave kërkuan bashkëpunimin e të gjitha instancave, qeverisjes vendore dhe organizatave jo fitimprurëse për të ulur shifrat e braktisjes së shkollës.

Fëmijët, të cilët janë piketuar si braktisës të shkollave, vijnë nga familje me të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë në muaj, që, përpjesëtuar me numrin e lartë të anëtarëve, janë të pamjaftueshme për të kaluar të paktën jetë normale.

Vetëm në Tiranë numri i fëmijëve në moshë shkollore që bredhin rrugëve si ambulantë, është mbi 5 mijë.

Në këtë braktisje, në të shumtën e rasteve, ata janë përkrahur edhe nga prindërit, të cilët përballë urisë, dashje pa dashje, i kanë hapur udhën analfabetizmit te fëmijët.

Edhe në rastet kur nuk është braktisur arsimi i detyruar, shumë pak fëmijë ambulantë në rrugët e kryeqytetit, kanë pasur dëshirën për të ndjekur më tej shkollën, duke reflektuar kësisoj krizën e vërtetë, në të cilën ndodhet arsimi në Shqipëri.

b.a/NOA

KOMENTE