English

Obama: Punoni me ne, mos punoni jo kundër nesh

Presidenti amerikan, Barak Obama, mbajti mbrëmë, në Nju Jork, një fjalim mbi rregulloret e reja në sektorin financiar. Ai kërkoi nga Uoll Strit që të punonte bashkë me Qeverinë, e jo kundër saj, lidhur me reformat

Nga Nik Krastev

Vendosja e rregullave më të forta për sektorin financiar amerikan ka qenë përparësi e presidentit Barak Obama që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, 16 muaj më parë. Rënia e disa kompanive dhe bankave të mëdha, dy vjet më parë, ishte rezultat i aktiviteteve financiare komplekse, të fshehura dhe shumë të parregulluara me ligj. Kriza e sektorit financiar amerikan solli pranë rënies gjithë ekonominë globale. Si pasojë e krizës, humbja llogaritet në rreth 13 trilionë dollarë.

Një plan i ri, ku parashihen rregulla të reja për sistemin financiar, është diskutuar në Dhomën e Përfaqësuesve e tani po debatohet në Senatin amerikan. Plani synon parandalimin e skenarëve të ngjashëm me atë të dy vjetëve më parë. Në këtë frymë ishte dhe fjalimi i presidentit Obama, i mbajtur në Nju Jork. Obama tha se përgjegjësia për krizën financiare bie mbi Uashingtonin dhe Uoll Stritin, qendrën e financave amerikane. Obama, ndryshe nga ç'pritej, nuk bëri publike politika të reja në këtë drejtim, por foli me një ton të ri në qasjen e tij ndaj atyre që ishin përgjegjës për krizën. "Jam sot këtu, veçanërisht kur flas me të fuqishmit e kësaj industrie, sepse kërkoj nga ju të na bashkoheni, në vend që të luftoni kundër përpjekjeve tona. Jam këtu, sepse besoj se këto reforma, në fund të fundit, janë jo vetëm në interesin e vendit tonë, por dhe në të mirë të sektorit financiar", tha Obama. Fjala e Obamës pritej me shumë interes dhe Shtëpia e Bardhë bëri maksimumin që ajo të arrinte një publik sa më të gjerë. Por, në zemrën e financave amerikane, në Uoll Strit, atmosfera nuk dallonte nga ditët e tjera. Aisha, ekonomiste 34-vjeçare për një nga kompanitë më të mëdha në Uoll Strit, tha për Radion Evropa e Lirë se pret që Qeveria të ketë një qasje të kujdesshme lidhur me reformën në sektorin financiar. "Mendoj se disa rregullore janë të nevojshme, duke pasur parasysh se sa keq kanë qenë gjërat për vite. Padyshim, shumëçka është jashtë kontrollit, e në këtë kuptim mendoj se ndërhyrja e Qeverisë është e nevojshme. Deri në çfarë shkalle duhet të jetë kjo ndërhyrje, nuk e di", tha Aisha. Edhe Rajev, një ekspert financiar 28-vjeçar, që punon po ashtu në Uoll Strit, mendon se duhen rregulla shtesë. "Ka një shkallë deri në të cilën ju keni nevojë të keni rregullore, në mënyrë që njerëzit të mos përfitojnë nga sistemi, ashtu siç pamë të ndodhte në fushën e kredive. Ndoshta, veprimet duhet të jenë të rregulluara në masë të moderuar, pasi nuk duhet të ketë rregullore për gjithçka", tha Rajev për Radion Evropa e Lirë. Shqetësimet e Rajevit duket se gjetën përgjigje në fjalimin e presidentit Obama. "Një treg i lirë asnjëherë nuk ka nënkuptuar liri veprimi për çdo gjë që mundeni e në çdo mënyrë. Kjo është ajo që ka ndodhur shpesh në vitet që i paraprinë krizës". "Disa në Uoll Strit, më lejoni ta nënvizoj fjalën, disa e jo të gjithë, harruan se pas çdo dollari që lëvizte në bursë, ishte një familje që donte të blinte shtëpi, apo të paguante për arsimimin e fëmijëve, apo të hapte një biznes. Ajo çfarë ndodhi në Uoll Strit, pati ndikim në të gjithë vendin, në të gjithë sektorët e ekonomisë sonë", tha Obama. Banorët e Nju Jorkut asnjëherë nuk kanë qenë mbështetës pa kushte të rregullave strikte në sektorin bankar. Mediat konservatore, para fjalimit, i bënin thirrje Obamës që të mos shkonte larg me vendosjen e rregulloreve të reja për sistemin financiar. Por, Obama përsëriti në fjalën e tij se rregulloret e reja janë të nevojshme, që të parandalohen kriza të ngjashme në të ardhmen. "Na duhet një sistem që t'i mbyllë firmat e dështuara në sistemin e financave, me sa më pak dëme që të jetë e mundur, veçanërisht për biznesin dhe jetët e njerëzve të pafajshëm. Nga fillimi kam këmbëngulur se sektori financiar dhe jo taksapaguesit, duhet ta mbajë në shpinë koston e rrënimit të mundshëm të çdo kompanie", tha presidenti amerikan. Obama nuk ngurroi të shprehte pakënaqësinë e tij me përpjekjet e vazhdueshme të të fuqishmëve në Uoll Strit, që të ndikonin në debatin për reformën financiare në Kongres, në përputhje me interesat e tyre dhe jo të publikut. /RFE/

KOMENTE