English

Investimet e huaja direkte, pse janë të sigurta në Shqipëri

Interesi për të investuar në vendin tonë nga ana e dy fqinjëve tanë me investime të huaja direkte është në kushte optimale dhe potenciale zhvillimi, në krahasim me interesat që mund të kishin investitorë të vendeve të tjera të Europës apo botës për investime në vendin tonë

Nga Oltjana Zoto*

Interes mëse i sigurt për më shumë investimet të huaja direkte në vendin tonë.

Thonë një shprehje këtej nga ne për shokun të cilin ke shansin ta zgjedhësh vetë e ndërsa fqinjin ta jep fati dhe Zoti. Një fat të tillë besoj se na ka sjellë Zoti edhe ne shqiptarëve teksa kufizohemi mes dy shtetesh nga më të vjetrat. Nuk jam duke analizuar cështje strategjike apo politike në marrëdhëniet që kemi patur me këto dy vende, por për mundësitë ekonomike dhe përfitimet e panumërta që mund të sillte pozicionimi kaq pranë i vendit tonë me dy vende anëtare të BE-së, sic janë Italia dhe Greqia. Por ka dhe një fakt tjetër në këto marrëdhënie nga ku afërsisht gjysma e numrit të shqiptarëve të identifikuar banojnë dhe punojnë në këto dy vende fqinje.

Situata aktuale e investimeve direkte të Italisë dhe Greqisë në Shqipëri.

Si Italia dhe Greqia sipas statistikave kanë një prezencë mëse të konsiderueshme të investimeve të tyre direkte në Shqipëri. Dy nga kompanitë më kryesore të telefonisë mobile janë greke dhe investimet më të mëdha janë në sektorin e energjitikës, atë të ndërtimit ku janë ndërtuar disa fabrika cimentosh apo tullash. Një tjetër sektor është ai i sistemit tonë bankar në të cilin zhvillojnë aktivityetin e tyre bankar dy banka të nivelit të dytë italiane, si pjesë e dy grupeve nga më të mëdhenjtë në Itali, (Intesa Sanpaolo dhe Gruppo Veneto Banca).

Në po këtë sektor operojnë edhe katër banka greke, edhe këto nga më kryesoret e vendit helen, (siç janë NBG, Emporiki, Tirana Bank, Alpha Bank). Këtu mund të përmendim edhe praninë e disa prej franchies-ve në sektorin e shërbimeve si rrjeti i supermarketeve Conad, elektroshtëpiaket Trony, Euronics, Prealpina, të konfeksioneve Upim, Oviesse, Geox, apo të ushqimeve si Gregorys, Coffe Right, Moncafe, Illy, etj.

Hapja e pikave të shitjeve të tyre në Tiranë dhe zgjerimi i aktivitetit me qytetet të tjerë në vend e ka zgjuar sadopak interesin e të tjera markave për investime në vendin tonë.

Nga ana tjetër shumë sipërmarrje të vogla dhe të mesme të emigrantëve shqiptarë operojnë si në Greqi ashtu dhe në Itali.

Sipas statistikave, në Itali operojnë rreth 20 mijë sipërmarrje shqiptare të licensuara dhe një numër disi më i vogël në Greqi.

Nga ana tjetër shumë sipërmarrje shqiptare importojnë dhe eksportojnë mallra në interes të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare të vendit tonë me këto dy vende. Këto shkëmbime zënë në total rreth 80% si për importet ashtu dhe për eksportet. Shumë sipërmarrës italianë apo grekë (fasonistë), kanë hapur disa fabrika përpunimi apo rrobaqepsi duke ndihmuar në punësimin e krahut të lirë të punës kryesisht në zonat rurale dhe të pazhvilluara të vendit.

Sipas statistikave krahu i lirë i punës në vendin tonë është nga më të lirët në Europë, i zhvilluar më shumë edhe në zonat kufitare me këto dy vende, (në qytet ku janë dy portet kryesore të vendit, Durrës dhe Vlorë për investimet italiane dhe në qytetet e Korçës e Gjirokastrës për investimet greke).

Pra interesi për të investuar në vendin tonë nga ana e dy fqinjëve tanë me investime të huaja direkte mendoj se është në kushte optimale dhe potenciale zhvillimi, në krahasim me interesat që mund të kishin investitorë të vendeve të tjera të Europës apo botës për investime në vendin tonë.

A mund të shërbejë afërsia gjeografike në nxitjen e investimeve të huaja direkte të Italisë dhe Greqisë në vendin tonë?

Kriza ekonomike botërore që shfaqi simptomat e para në SH.B.A. dhe vështirësitë që po hasin investitorët strategjikë veçanërisht në uljet e kostove të shpenzimeve, mund të jetë një element i rëndësishëm për gjetjen e interesit nga ana e investitorëve për investime të huaja direkte në vendin tonë.

Kohët e fundit tregjet aziatike kanë hasur jo pak probleme për investitorët që besuan në kapacitetet e këtyre tregjeve kryesisht tek krahu i lirë i punës dhe teknologjia.

Investitorët italianë nuk kanë qenë shumë të pranishëm me investime në këto vende, pasi më tepër i kanë patur të dislokuara teknologjitë e tyre drejt tregjeve të Europës Lindore, kryesisht në Rumani, Bullgari, etj. Me hyrjen e këtyre dy vendeve në BE u krijuan vështirësi të panumërta për investitorët kryesisht italianë.

U standardizuan kushtet dhe kontratat e punës sipas ligjeve të BE-së mes punëdhënësve dhe punonjësve. Po kështu lëvizja lirë e njerëzve solli probleme për gjetjen e krahut të lirë të punës teksa vetëm numri i emigrantëve rumunë në Itali është rreth 1 milion.

Kur tashmë për tregjet aziatike siç edhe e përmenda më sipër po krijohen jo pak probleme në shkëmbimet tregtare, ndërtimi i politikave strategjike në thithjen apo nxitjen e këtyre investitorëve tashmë të provuar në investime, do të ishte një element mjaft pozitiv për zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.

Kjo nisur edhe nga klima e mirë që kanë gjetur investime të tjera të huaja në vendin tonë, apo siguria që vjen nga prania e disa prej bankave të vendeve të tyre, të cilat janë po prezente në vendet ku ata operojnë aktualisht. Pak më pak investime greke evidentojmë në Europën Juglindore, por ky mund të jetë një element nxitës për më shumë investime greke në vendin tonë, si në turizëm apo bujqësi e blegtori ku dihen potencialet e këtij vendi.

Po kush janë potencialet e zhvillimit të investimeve të huaja direkte në vendin tonë?

Elementi më kryesor siç edhe e përmenda është afërsia gjeografike e cila do të eliminonte pa dyshim kostot e investimeve. Por përderisa deri tani ky element nuk ka funksionuar do të thotë që ka të bëjë me vullnetin politik të qeverive dhe jo strategjive që mbeten përherë në letër.

Kostot e krahut të lirë të punës dhe nevojat për punësim përpos faktit që vendi ynë nuk është vend i BE-së, mund të jetë një element tjetër pozitiv. Këtu mund të kishim rregulla më strikte për investitorët në respektimin e kushteve të punës, higjienës apo ambientit të cilat e bezdisin investitorin por jo që ai mund t'i evitonte respektimin e tyre.

Klima e shëndoshë që qeveria aktuale ka dashur të përcjellë për kryerjen e pagesave të taksave apo deri në licencimin e tyre duke evituar pengesat burokratike mendoj se ka vend për përmirësim.

Aderimi me të drejta të plota i vendit tonë në NATO, garanton padyshim siguri në radhët e investitorëve të huaj për investimin e kapitaleve të tyre në vendin tonë. Tashmë edhe rendi publik në vendin tonë nuk është më një problem.

Prezenca e bankave kryesore të vendeve të tyre është një tjetër element, nga ku produktet dhe shërbimeve bankare i gjejmë pothuajse të integruara. Madje edhe gjuha e dokumenteve bankare dhe kushteve të punës janë në gjuhën e tyre teksa mund të përputhet me interesin e tyre.

Përmirësimi i situatës energjetike në vend kjo falë edhe privatizimit të Operatorit të Sistemit Energjitik mund të ndikojë në nxitjen e investitorëve të cilët kërkojnë padyshim të mos shohin në listën e pengesave për investim në Shqipëri, kufizimet e energjisë elektrike.

Elementë potencialë për zhvillimi interesi janë investimet direkte në fushën e teknologjisë apo industrisë së makinave, të cilat nuk i gjejmë shumë prezente në vendin tonë. Nga vendi ynë për në Itali udhëtojnë përditë linja të rregullta tragetesh, këto nga Durrësi apo Vlora drejt porteve të Barit, Brindisit apo në porte të tjera këto në vetëm pak orë.

Kështu industritë e FIAT-it, Pirelli-t, Alfa Romeo-s, Vespa-s etj., nuk do të kishin mundësi pse t'i hidhnin sytë shumë larg nga vendi ynë. Madje aq më pak drejt fqinjit tonë Serbisë, ku Fiat-i po projekton një investim gjigant në ndërtimin e makinave.

Fakti që jemi një vend që eksporton pa fund hekur dhe skrap për këto industri makinash mund të jetë burim interesi për investime në këtë sektor mjaft fitimprurës. Padyshim që sektori i turizmit, ka qenë tërësisht jashtë vëmendjes si nga ana e qeverisë sonë por edhe nga qeveritë e vendeve fqinje dhe të politikave të tyre strategjike.

Promovimi i problemeve të ndryshme sociale të vendit tonë me pathos në mediat italiane, në vend që të evitonte largimin me mijëra km të turistëve italianë.

Zëvendësimi i destinacioneve të tyre nga Ishujt Maldive, Azinë apo Karaibet, me Shqipërinë mund të fuqizonte investimet direkte italiane në turizëm.

Por edhe transporti detar apo tokësor do të mund të përfitonte nga këto lëvizje me më shumë rritje të GDP-së Italisë.

Pra largimi me sa më shumë km larg një vendi, nuk mendoj se është një element pozitiv për strategjibërësit e ekonomisë së këtyre dy vendeve. Nevojat për ngritjen e një aeroporti në jug të vendit është një frymëmarrje mëse e prekshme për zhvillimin e turizmit.

Do të ishte në funksion të zhvillimit të turizmit rajonal nëse kompania gjermane që menaxhon si Aeroportin e Athinës dhe të Tiranës mund të investonte për këtë rrethanë normale.

Nga ana tjetër sajë disa përpjekjeve minimale dhe aspak të konsiderueshme si spote TV apo mosnjohja resurseve të vendit tonë, e kanë kthyer Shqipërinë në një destinacion deri diku atraktiv për turistët. Kjo falë edhe numrit të kufizuar të shtretërve që kemi në dispozicion si dhe duke evidentuar edhe shërbimin primitiv dhe pa

trainim të hotelerisë shqiptare. Në rast dy vendet tona fqinje dhe anëtare të BE-së, do të kishin një strategji zhvillimi turizmi nëpërmjet investimeve do të kishim një tablo tjetër. Përpara se të merreshin me sharrimin e një kryqi apo hapjen e shkollave, situata do të ishte më në favor të tyre.

Nëse sot turistëve që vizitojnë Korfuzin nuk do t'u paraqitet si pjesë atraktive vizita në Amfiteatrin e Butrintit, atëherë ky ishull do të vizitohet përherë e më pak nga ana e turistëve.

Mos të harrojmë se në kohën e lulëzimit të Republikës së Venedikut, qytetet shqiptare zhvilluan më së miri regëti dhe shkëmbime tregtare, duke u quajtur edhe si "Shqipëria Veneziane". Për të ngritur strukturat elitare turizmi ata mund të mendonin edhe punësimin e emigrantëve që vetë u mësuan gjuhën, edukatën, sjelljen duke i patur miq në shtëpinë e tyre.

Investime të panumërta këto dy vende mund të zhvillonin edhe në bujqësi apo blegtori pasi dihet kërkesa për furnizim dhe konsumimi i ushqimeve në turizmin elitar. Sërish element pozitiv janë kostot dhe kushtet e krahut të lirë të punës si dhe pozita gjeografike dhe kushtet klimaterike që ka vendi ynë.

Në përfundim

Sot përherë e më tepër strategjia lidhet me afërsinë, sigurisht me uljet e kostove të shërbimeve apo shkëmbimeve tregtare. Përpos këtyre elementëve, jam mëse e sigurt se fqinjët tanë gjejnë edhe një vend i cili është integruar më së miri në vetë jetën e tyre.

Ngritja e strategjive të zhvillimit, trajnimi apo shfrytëzimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe investimi i tyre mund të sjellë padyshim jo vetëm zhvillim interesi për këto dy vende për Shqipërinë por edhe fundi i disa kokëçarjeve të mundshme në marrëdhëniet me shqiptarët.

(*) Dërguar nga autorja, Master në Shkencat Ekonomike Europiane dhe Doktorante pranë Universitetit te Tiranes, Fakulteti Ekonomik për Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri

Më shumë Opinione

Më shumë lajme mbi Turizmin

KOMENTE