English

Fule: Do të shkoj në Sarajevë, vetëm nëse është Kosova e Serbia

Bruksel, 30 prill, NOA - Takimi i Sarajevës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse në të marrin pjesë edhe Serbia, edhe Kosova, tha komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Fule, në një intervistë për agjencitë e lajmeve gjermane.

“Shpresoj shumë, që ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit, të mos humbasin mundësinë, që ta kthejnë bashkëpunimin rajonal në një proces përfshirës, duke siguruar se të gjithë janë në tavolinën e bisedimeve”, tha Stefan Fule.

Fule ka nënvizuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Sarajevës nëse nuk do të jenë të pranishme si Serbia, edhe Kosova.

“Do të marr pjesë në çdo konferencë që bazohet në parimet e gjithëpërfshirës dhe shtyn një hap përpara bashkëpunimin rajonal”, theksoi diplomati evropian.

Duke folur për heqjen e transmetuesve të paligjshëm të telefonisë së Serbisë në Kosovë ai theksoi se “kjo nuk është çështje politike, por ekonomike”.

Megjithatë, eurokomisioneri për zgjerimin vlerësoi lart përparimin e rajonit, pasi siç tha ai “njerëzit harrojnë se në këtë pjesë të Evropës, kemi parë shpërbërjen më shkatërruese të një shteti. Nëse e krahason situatën e sotme me atë të 15 viteve më parë mendoj se çdokush do të habitej”.

NOA/RFE

KOMENTE