English

Qeveria plan për të rritur akcizat me 4 mld lekë

Tiranë, 1 maj, NOA - Në kushtet kur kriza në mbledhjen e të ardhurave është e dukshme, pasi treguesit fiskal për tre muajt e parë të vitit rezultojnë me mosrealizim, qeveria ka planifikuar se si të rrisë paratë në arkën e shtetit.

Ministria e Financave kërkon të ndryshojë Ligjin për Akcizat, duke zgjeruar gamën e produkteve që do të taksohen. Për herë të parë qeveria planifikon që fishekzjarrët, nënproduktet e naftës, gomat apo ambalazhimet e qelqit do të paguajnë akcize. Kjo nisëm e ministrisë argumentohet me impaktin që këto produkte kanë në mjedis, por ekspertët e ekonomisë mendojnë ndryshe.

Adriana Berberi është e mendimit se ky draft është një përpjekje e qeverisë për të gjeneruar më shumë para.

Nëpërmjet tij qeveria parashikon të mbledhë në vit mbi 4 miliard lekë. Por në një kohë që biznesi është në pritje të një platforme për lehtësira fiskale, nisma e ministrisë së financave vlerësohet si e dëmshme, pasi rritja e akcizës do të thotë rritje e kostos për biznesin, e për rrjedhojë rritje çmimi për konsumatorin.

Thanas Poçi, drejtor i shërbimit të biznesit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thotë se nuk është koha e duhur për të bërë rritje taksash. Sipas tij biznesi ndodhet në vështirësi dhe çdo masë që synon të rrisë kostot nuk është e dobishme. Ai ka denoncuar edhe synimin e qeverisë për të zgjeruar listën e produkteve që do paguajnë akcizë.

Drafti i financave është në fazën e diskutimit me ministrinë e ekonomisë dhe atë të mjedisit dhe më pas pritet të kalojë për miratim në komisionin parlamentar të ekonomisë.

r.l/NOA

KOMENTE