English

Shënim - Ekon - Greqia Rrit Ndjeshëm Çmimet E Karburanteve, Alkoolit Dhe Cigareve

ATHINË, 4 maj /ATSH-MIA/ - Çmimi i naftës dhe i derivateve të saj, i pijeve alkoolike dhe i cigareve në Greqi filluan sot rritjen, si rezultat i rritjes së akcizave dhe rritjes së paralajmëruar të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), masa në kuadër të planit qeveritar për përballjen me krizën e rëndë financiare ku ndodhet vendi. Ndërkohë, duke filluar nga 1 korriku, TVSH-ja për karburantet, pijet alkoolike dhe cigaret do të rritet respektivisht nga 21 në 23 për qind, nga 10 në 11 për qind dhe nga 5,0 në 5,5 për qind. Me këto masa, qeveria greke pret të sigurojë të ardhura plotësuese prej 1,46 miliardë eurosh. Karburantet në Greqi prej ditës së djeshme u shtrenjtuan me tetë centë dhe çmimi i tyre mesatar tani është 1,54 euro për litër, ndërkohë që çmimi maksimal ka arritur mbi 1,65 euro për litër. Në të njëjtën kohë, cigaret u shtrenjtuan nga çmimi mesatar i 3,8 eurove në 4,8 euro për shkak të rritjes së akcizës në 10 për qind. Çmimet e pijeve alkoolike ndërkaq janë rritur mbi dy euro për shkak të rritjes së akcizave në 30 për qind. Me masat e reja, tatimi i makinave të luksit dhe xhipave të shtrenjtë është rritur 200 për qind. Me masat shtrënguese qeveritare për shkak të uljes së rrogave, pensioneve dhe bonuseve, pritet që të ardhurat e rreth tre milionë grekëve të pakësohen 25 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Sipas gazetave greke, nëse gjatë vitit 2009 një familje e nëpunësve të administratës shtetërore ka fituar 32 260 euro, këtë vit, për shkak të masave shtrënguese do të fitojë 1 940 euro më pak, thënë ndryshe 30 320 euro. Për shkak të rritjes së TVSH-së çdo familje greke nga buxheti i vet do të duhet të shpenzojë më tepër 640 euro. Ndërkaq pensionistët grekë, varësisht nga masa e pensioneve të tyre, gjatë këtij viti do të humbin mes 200 dhe 800 euro./ a.jor.
KOMENTE