English

Festivali “Shqipëria është Kulturë”, autoritetet japin vlerësime pozitive

Tiranë, 5 MAJ 2010 NOA - Festivali “Shqipëria është Kulturë”, është tani në fazën finale dhe duke nisur nga dita e nesërme, 6 Maj 2010, në qendrën antike të Apolonisë do të zhvillohen fazat e fundit që do të sjellin dhe fituesit e evenimentit. Mes tyre do të shpallen dhe Ambasadorët e Kulturës Shqiptare.

Për të folur mbi këtë argument, sot në hotel “Rogner EuropaPark” në Tiranë, u zhvillua një konferencë për shtyp. Në të morën pjesë rektori i Universitetit Europian për Turizmin, Prof. Dr. Salvatore Messina, kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, njëkohësisht president i komitetit organizator të evenimentit, zyrtarë të MTKRS si Arben Skënderit, këshilltar i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Prof. Dr Paskal Milo, profesor në EUFT dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale, Prof. Dr. Ilia Kristo, profesor në EUFT.

Prof. Dr. Salvatore Messina, në konferencën e sotme për shtyp foli mbi projektin e nisur vjeshtën e kaluar dhe theksoi se “EUFT dëshiron të jetë një nga shtyllat kryesore të këtij vendi të cilat i japin shtysë zhvillimit të turizmit”.

Më pas ai tha: “Që nga data 14 nëntor 2008, kur nisi sezoni ynë i parë akademik. Pas ceremonisë së inaugurimit të tij, ne u nisëm drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë, për të parë nga afër këtë mrekulli të turizmit shqiptar, si një laborator i hapur në terren. Në zonën e Fierit, ne pamë përkatësisht parkun arkeologjik të Apolonisë si edhe parkun e Divjakës dhe menjëherë nisëm të bënim bashkëpunime me Qarkun, Bashkinë, operatorët privatë të Fierit etj. Qëllimi ynë ishte që secili prej tyre të kishte një mundësi sesi të mund të zhvillonte më tej këtë zonë, pasi dihet se të gjithë e dëshirojnë këtë gjë, por puna është sesi mund të arrihet të bëhet kjo gjë.

Më tej z.Messina foli për qëllimet që ka ky eveniment: “Qëllimi ynë është që të marrësh elementët që janë prezentë në kulturën e këtij vendi, siç janë ata që prezanton parku arkeologjik i Apolonisë; pra, të marrim elementet e trashëguara kulturore përmes historisë dhe t’i bashkojmë ata me elementët e kulturës bashkëkohore, ku kjo e fundit, përcillet shumë mirë nga të rinjtë e ditëve të sotme”.

Në këtë kuadër dr Messina tregoi se “prej 4 muajsh, shëtitëm në të gjitha shkollat e vendit për të gjetur artin dhe përvojat kulturore që paraqesin këta të rinj”.

Kurse shtoi: “Deri tani, janë 1365 kandidatë të përzgjedhur dhe juria e përzgjedhur, e cila kryesohet nga drejtori Agron Xoxa, ka arritur që të seleksionojë rreth 376 prej tyre, që të gjithë talente nga rrethet Lezhë, Korçë, Tiranë, Elbasan etj. Të gjithë këta të rinj të seleksionuar janë sot në Fier, në një proces provash. Për të kaluar më pas në datën 8 maj, kur do të zgjidhen përmes SMS-ve telefonike dhe me pas, të shtunë në mbrëmje, do të zgjidhen edhe fituesit e këtij evenimenti, të cilët do të cilësohen edhe si “ambasadorë të kulturës shqiptare” duke fituar edhe shumën prej 500 mijë lekësh. Paskëtaj, do të vijojë një tur evropian, i cili do të përmbyllet në Bruksel, përmes të cilit duam që të rinjtë e Shqipërisë, të takohen me moshatarët e tyre evropianë dhe kontribuojnë kështu në rritjen e vlerave turistike të vendit tonë”.

***

Kryetar i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, është edhe President i grupit organizator të evenimentit. Ai tha: “Jemi bashkuar me nismën e Universitetit Europian të Turizmit ‘Shqipëria është Kulturë’ pasi bashkia dhe Qarku i Fierit kanë si prioritet të tyre fushën e turizmit. Në fakt, shumë veta e sinjifikojnë këtë qark vetëm me prodhimet bujqësore apo me naftën, por nuk është aspak kështu. Pasi Qarku i Fierit përfshin brenda territorit të tij parqe shumë të rëndësishme me vlera kulturore, si ai i Ardenicës apo edhe i Apolonisë.

Dhe në lidhje me këtë, ne si bashki e Fierit, kemi edhe strategji të posaçme për turizmin në tërësi. “Shqipëria është Kulturë”, konsiderohet si më i fuqishmi dhe në qendër të tij, ka të rinjtë shqiptarë. Synojmë kështu që Fieri të bëhet i njohur si zonë në të gjithë Ballkanin dhe Evropë. Duke synuar gjithashtu, që në Fier të ngrihet edhe një degë e rëndësishme në të ardhmen e EUFT-së, Universitetit Evropian të Turizmit”.

***

Arben Skënderi, këshilltar i ministrisë së Kulturës tha: “Në emër të ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, shpreh mbështetjen për gjithçka që parashikon nisma e ndërmarrë nga EUFT, Universiteti Evropian i Turizmit, mbi aktivitetin “Shqipëria është Kulturë”, i cili është i pari i këtij lloji që zhvillohet në vendin tonë.

Ne jemi të angazhuar si dikaster që të japim ndihmesën tonë në të gjitha evenimentet që ai parashikon të zhvillojë brenda kuadrit të tij. Ne si ministri, në fakt, përmbushim shumë forma të turizmit dhe kulturës si të tilla, dhe ndaj do të japim ndihmën tonë edhe në këtë aktivitet të madh. E kjo, duke qenë shumë të ndjeshëm për angazhimin e të rinjve në aktivitete kulturore dhe prandaj, më bëhet qejfi për perspektivat që shfaqen para nesh në këtë kuadër bashkëpunimi, si edhe perspektivat që shfaqen para nesh. Në Shqipëri ka shumë monumente kulturore të cilat duhet të promovohen, megjithëse jemi një vend i vogël. Dhe prandaj, ju premtojmë edhe në emër të ministrit Ferdinand Xhaferraj, mbështetjen tonë të plotë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”.

Pyetjet e gazetarëve drejtuar rektorit të EUFT-së, Salvatore Messina

Televizioni Publik Shqiptar (TVSH)

Ai që do të zgjidhet fitues i evenimentit “Shqipëria është Kulturë”, për të cilin ju thatë se do të jetë ambasador i kulturës shqiptare, a do të ketë një prezantim dinjitoz të kulturës sonë historike, duke e ballafaquar me atë bashkëkohore?

Përgjigje: Ne në fakt, nuk është se do të zhvillojmë një koncert, si ato që paraqiten nëpër televizione të ndryshme, ku zgjidhen talentet më të mira, por ne në fakt kemi shumë talente, në gjendje të aktrojnë, pikturojnë, këndojnë dhe mes tyre kemi gjetur gjëra shumë të veçanta.

Ne nuk duam t’i themi “bravo” dhe ai pas ca ditësh të mos njihet më.

Por ne duam që të rinjtë shqiptarë t’u prezantojnë kulturën e tyre dhe identitetin bashkëmoshatarëve evropianë, në mënyrë që të arrihet të krijohen lidhje ndërkulturore mes tyre dhe pikërisht, ky është mesazhi që ne duam të përcjellim

Që të rinjtë shqiptarë t’u thonë bashkëmoshatarëve të tyre evropianë: Kjo është Apolonia, atje ku mësonin perandorët romakë!

Dhe ky është një projekt pilot, i cili më pas do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Televizioni Scan

Nuk mendoni se ky aktivitet po zhvillohet në një kohë kur parku i Apolonisë po përballet me probleme, të rrëshqitjeve etj?

Përgjigje: Problemi në fakt, nuk është se sa persona do të shkojnë në Apoloni, por se si do të sillen atje.

Pasi në atë park arkeologjik mund të shkojnë edhe dy veta me xhip dhe ta dëmtojnë atë, sikundër mund të shkojnë 1000 veta dhe të sillen siç duhet, duke respektuar rregullat që parashikohen brenda mjediseve dhe territorit të tij.

Nëse nuk jemi ne ata që merremi pikërisht me ruajtjen e vlerave të turizmit dhe monumenteve kulturore apo parqeve turistike, kush mund të jetë?

Kemi respektuar në mënyrë rigoroze gjithçka, ndërsa drejtoria e Parkut Arkeologjik të Apolonisë na ka vënë në dispozicion gjithçka dhe ne do ta respektojmë këtë pakt, këtë keni për ta parë edhe vetë.

Televizioni A1

Kjo nismë që ju po ndërmerrni, a do të shtrihet edhe në zona të tjera të vendit?

Përgjigje: Po, kryetari i bashkisë së Lezhës nga ana e tij, na ka kërkuar që të kemi një iniciativë bashkëpunuese edhe së bashku, të realizuar në qytetin e tij.

Dhe mendojmë të realizojmë një partneritet bashkëpunimi me natyrë evropiane për ta shtrirë më pas këtë nismë tonën në çdo vend të Shqipërisë.

Gazeta “Shekulli”

Cila është mbështetja që juve do t’u jepni atyre që do t’i cilësoni si “ambasadorë të paqes”?

Përgjigje: Ne kemi synimin që ata t’i shoqërojmë dhe t’i mbështesim në rrugën e tyre të rritjes së mëtejshme profesionale, duke qenë në dispozicion të tyre, në mënyrë që ata vërtet të arrijnë të bëhen ambasadorë të kulturës shqiptare.

Gazeta “Koha Jonë”

Z. Messina, cili është vlerësimi juaj, a dinë t’i ruajnë të rinjtë shqiptarë vlerat e kulturës së tyre?

Përgjigje: Unë kam parë valle tradicionale, siç kam parë të ushtrohen edhe në rryma bashkëkohore siç janë ato moderne të muzikës dhe kërcimit.

Kjo do të thotë se të rinjtë e sotëm kanë një diapazon të gjerë eksperiencash të cilat ia vlen të vlerësohen.

Agjencia e Lajmeve NOA

Z. Messina, nisma që ju po realizoni, a do të jetë e përvitshme, pra a do të përsëritet, apo mbetet vetëm në kuadrin e këtij viti?

Përgjigje: Kjo do të jetë një nismë e përvitshme, e cila në fakt, do të realizohet çdo vit në parkun arkeologjik të Apolonisë, duke iniciuar që nga ky vit dhe që do të ketë si afat të përmbylljes së saj gjithmonë datën 9 maj, Ditën e Evropës.

NOA

KOMENTE