English

Pasuritë e sekuestruara, qeveria ngre agjenci për administrimin e tyre

Tiranë, 5 maj, NOA – Pasuritë e sekuestruara si pasojë e luftës kundër krimit të organizuar, do të administrohen nga një agjenci e posaçme, ngritja e së cilës u miratua sot me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Konkretisht, ai përcakton ngritjen e së ashtuquajturës Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, e cila do të jetë një institucion buxhetor në varësi të ministrit të Financave.

Kjo agjenci do të drejtohet nga kryeadministratori, i cili emërohet nga ministri i Financave dhe ajo do të ketë një buxhet të veçantë, që mbulon shpenzimet për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara

Ndërkaq, detyrë e saj do të jetë edhe ajo e administrimit të pasurive të bllokuara në luftën kundër terrorizmit.

Sikundër, do t’i duhet të bashkëpunojë me gjykatat, prokurorinë, shërbimin përmbarimor, policinë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në fund, ajo duhet të raportojë për veprimtarinë e saj, të paktën një herë në tre muaj, përpara Komitetit këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për masat kundër krimit të organizuar.

n.e/NOA

KOMENTE