English

Times Square/ Pakistan - Autoritetet Vendase Arrestojnë Vjehrrin Dhe Një Mik Të Shahzad

ISLAMABAD, 5 maj /ATSH-ANSA/ - Autoritetet pakistaneze kanë arrestuar dy persona që kanë lidhje me Faisal Shahzad, terroristi i cili është përfshirë në atentatin e dështuar të Times Square në Manhatan. Të arrestuarit janë, vjehrri i tij Iftikhar Mian dhe një mik i quajtur Tausef. Të dy u arrestuan nga agjentët e shërbimeve inteligjente pakistaneze në një shtëpi në lagjen Nazimabadi Verior, në qytetin Karaçi, njoftoi e përditshmja pakistaneze "Dawn". Sipas rindërtimit të ngjarjes nga ana e gazetës, "Shahzad është djali i dytë i një zyrtari të aeronautikës, Baharul Haq, i dalë në pension në fillim të viteve nëntëdhjetë". Në vitin 2009, së bashku me familjen, ai u transferua në Karaçi ku u punësua edhe si funksionar i Autoritetit për aviacionin civil. Djali tjetër, i cili me profesion është inxhinier, jeton në Kanada. Tashmë i ati i tyre jeton në një lagjen periferike të Peshawarit, Hayatabad. Gazeta nuk jep asnjë detaj për motivet e dy arrestimeve. Të tjerë persona të dyshuar janë ndaluar në disa pjesë të provincës Punjab, në veçanti në Lahore dhe Rawalpindi. Gjithmonë sipas të përditshmes Dawn, familja e Shahzad është me origjinë nga distrikti Nowshera, në provincën verilindore të vendit, me shumicë pashtune. Fshati i tyre quhet Mohib Banda. "Familja e tij ka një reputacion të shkëlqyer. Askush këtu nuk beson se Shahzad është një terrorist", deklaroi një banor për gazetarët. Familja e tij ka në pronësi disa prona të paluajtshme, por nuk jeton më në fshat. Ndërsa dje, autoritetet amerikane njoftuan se Shahzad e ka pranuar përfshirjen në atentatin e dështuar dhe se ai tashmë do të ndiqet penalisht për disa akuza të rënda, ndër të cilat ajo e terrorizmit. /e.v/
KOMENTE