English

Banka Boterore: Investimet Ne Pastrimin E Porto Romanos, Do Te Permiresojne Jeten E Banoreve

TIRANE 6 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Në Porto Romano, 7 km larg qytetit të Durrësit, filluan sot punimet për rehabilitimin e zonës së ndotur në ish-fabriken e lindanit nga një kompani finlandeze, me fonde të qeverisë shqiptare, Bankës Botërore dhe qeverise holandeze. Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah tha se "të gjitha investimet duhet të shkojnë në destinacion për përmirësimin e jetës së komunitetit". Pastrimi i Porto Romanos është një komponent i Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit, që ka nisur në nëntor 2005, me financim të Bankës Botërore. Burime të Bankës Botërore bëjnë të ditur se komponenti i Porto Romanos synon të rehabilitojë zonën e ndotur të ish-fabrikës duke shkatërruar dhe gërmuar materialet e ndotura dhe duke i depozituar në një zonë të sigurtë dhe të mbrojtur. Në maj 2006 qeveria e Holandës akordoi paralelisht edhe 1 milionë dollarë për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës. Mbetjet e ripaketuara do të asgjësohen në një fabrikë të specializuar në Gjermani. Punimet parashikohet të përfundojnë në fillim të 2011 dhe përfitimet e pritshme do të jenë: shmangja e kontaktit të drejtpërdrejtë me dheun e ndotur dhe mbetjet duke zvogëluar kështu riskun e shëndetit publik; reduktimi i rreziqeve afatgjata për shëndetin dhe mjedisin nga ujërat e ndotura nëntokësore si dhe reduktimi i rreziqeve nga rrjedhja sipërfaqësore e ujit. Në vitin 2003, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) kërkoi një vlerësim mjedisor, i cili identifikoi pesë pika të nxehta mjedisore për t'u pastruar në Shqipëri. Ish-uzina kimike në Porto Romano në Durrës u rendit e para për shkak të rreziqeve të rënda që kjo zonë paraqiste për shëndetin e njerëzve, ujërat nëntokësore, dhe habitatet detare. Studimi rekomandoi ndërmarrjen e veprimeve urgjente dhe i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar që ofronte ndihmë emergjente në këto fusha prioritare. Në vitin 2004, qeveria kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për të rehabilituar zonën e Porto Romanos. Ndërkohë, qeveria e Holandës shprehu interesin e saj për të mbështetur pastrimin. Po ashtu, një grant Japanez (PHRD), prej 250 mijë dollarësh financoi realizimin e studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e zonës. Më vonë në vitin 2004, Banka Botërore ra dakord për të përfshirë në një projekt të vetëm dy projektet e veçanta: atë të menaxhimit të zones bregdetare dhe atë të pastrimit të Porto Romanos, i njohur tashmë si Projekti i Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare dhe Pastrimit. Qeveria e Holandës angazhoi një shumë prej 5 milionë dollarësh për këtë pastrim dhe më vonë në vitin 2006 akordoi paralelisht edhe 1 milion euro për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës në një fabrikë të specializuar në Gjermani. Ndërkohë, disa familje që banonin në këtë zonë janë sistemuar diku tjetër nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Durrësit, ndërsa janë realizuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe projektet e rehabilitimit./n.m/
KOMENTE