English

Kosove - Fule Nis Viziten Ne Prag Te Dites Se Evropes, Peruron Ndertesen E Ministrise Se Brendshme

PRISHTINË, 6 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Stefan Fule, ka mbërritur sot në Kosovë në vizitën e tij të dytë zyrtare dyditëshe, në prag të Ditës së Evropës. Në pasditen e sotme në Prishtinë, Fule mori pjesë në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së re të Ministrisë së Punëve të Brendshme e financuar nga BE-ja. "Jam i gëzuar që sot jam këtu në përurimin e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sundimi i ligjit është kusht kryesor për presporitet dhe stabilitet, është fondamental për integrimin në Bashkimin Evropian. Është esenciale edhe për anëtarësim, si dhe kusht për mirëqenien e Kosovës dhe qytetarëve të saj", tha Fule. "Kjo ndërtesë është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian në Kosovë. Infrastruktura e përmirësuar do të thotë një mjedis më të mirë për punë, duke i bashkuar mbi 200 punonjës nën një kulm", shtoi ai. Në përurimin solemn ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, drejtori i Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pier Mirel, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Daviddi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi , ministri për Integrime Evropiane, Besim Beqaj dhe përfaqësues të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë. "Sot, kjo ndërtesë simbolizon rend, ligj dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në vendin ku është ndërtuar ky objekt i ri i standardeve të reja dhe perëndimore, në të kaluarën ishte objekti që ka përfaqësuar shtypjen dhe diskriminimin", tha Thaçi. "Kjo ndërtesë e ndërtuar bashkërisht midis Qeverisë së Kosovës dhe asistencës gjeneroze të Bashkimit Evropian, do të ketë kushte më të mira për sundimin e ligjit dhe zbatimit të tij", tha kryeministri. Komisioneri Fule sot dhe nesër në Kosovë do të takohet me partnerët kryesore vendës dhe ndërkombëtarë. Fule do të përurojë edhe Pikën informative në Mitrovicën Veriore dhe kompleksin afarist në Zveçan. Po ashtu, ai do të mbajë një ligjëratë para studentëve të universitetit në Mitrovicën Veriore. Komisioneri Fule do ta shënojë Ditën e Evropës në një pritje formale në Prishtinë. /a.ke/
KOMENTE