English

PPE: Greva, opozita të lërë bojkotin dhe të respektojë shtetin ligjor

Bruksel, 6 maj, NOA - Opozita shqiptare duhet të respektojë plotësisht Kushtetutën që është në fuqi si edhe sundimin e ligjit në vend, duke përfshirë këtu edhe vendimet e gjykatës dhe Komisionit Qendror Zgjedhor.

Ky është qëndrimi që kanë shprehur Partitë Popullore Evropiane në një deklaratë të posaçme për krizën politike në Shqipëri, nënshkruar nga vetë Vilfried Martens, president i tyre si edhe Franko Fratini, koordinator i ministrave të Jashtëm të PPE-ve.

Sipas saj, Partitë Popullore Europiane “mbështesin fuqimisht qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, si dhe hapat e hedhur prej saj drejt demokracisë dhe procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian”.

Sikundër, PPE-të shprehin edhe shqetësimin mbi situatën politike të krijuar në Shqipëri pas zgjedhjeve demokratike mbajtur qershorin e kaluar 2009.

“Iu kërkojmë socialistëve të opozitës që të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të konfirmuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të vëzhguesve”, thuhet në deklaratën e posaçme të PPE-ve.

Më tej, thuhet se “e konsiderojnë si për të ardhur keq, anashkalimin e instrumenteve legjitime të Shqipërisë duke u përpjekur për të rihapur kutitë e zgjedhjeve”.

“Shprehim shqetësimet tona në lidhje me thirrjen e Ramës për grevë urie përveç bojkotit, që tregon vendosmërinë e tij për vazhdimin e konfliktit me mjete të papranueshme, pavarësisht nga propozimet e shumicës për të arritur një kompromis”, citojnë krerët e PPE-ve.

Duke përfunduar se “pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është thelbësore për një dialog konstruktiv në një demokraci parlamentare dhe një dialog politik mes shumicës dhe opozitës duhet të jetë kryer brenda parlamentit”.

n.e/NOA

KOMENTE