English

Sport-Superliga/ Tirana, 6 Pikë Për Të Arritur Evropën

- Ndeshja e radhës e bardhebluve është ndaj Dinamos, kampiones së re të vendit e më pas Skënderbeut - TIRANË, 6 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Skuadra e Tiranës është në luftë për një vend në Ligën Europiane. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit, 24-herë kampionët e Shqipërisë janë në vendin e katërt, me 48 pikë, po aq sa Laçi i vendit të tretë. Ndeshja e radhës e bardhebluve është ndaj Dinamos, kampiones së re të vendit. Blutë vijnë pas gjashtë humbjesh rresht, e fundit ndaj Laçit (2-4) në "Qemal Stafa", pikërisht rivales së papritur të Tiranës në këtë sezon. Mbrojtësi i Tiranës, Tefik Osmani, u shpreh pas stërvitjes së sotme, se "duhet të fitojmë të dyja ndeshjet e mbetura (me Dinamon e Skënderbeun). Jemi të katërtit në renditje dhe kjo është e vetmja mundësi. Duhet të bëjmë detyrën tonë". Gjithsesi, nëse Besa do të fitonte Kupën e Shqipërisë këtë të dielë në finale me Vllazninë, atëherë Tirana mund të shkonte në Ligën e Europës edhe duke mbajtur vendin e katërt në përfundim të sezonit. Në përballjen e fundit midis dy skuadrave kryeqytetase ndodhën edhe incidentet e shëmtuara që kulmuan me goditjen me kokë të kapitenit të Tiranës, Devi Muka, ndaj sulmuesit të Dinamos, Elis Bakaj, por dhe sulmi fizik i ish-trajnerit bardheblu, Alban Tafaj, ndaj golashënuesit më të mirë blu. Në fazën e parë Dinamo fitoi 2-1 me Tiranën, dhe po me këtë rezultat fitoi edhe në fazën e dytë, ku spikasin dy gola të sulmuesit Elis Bakaj./s.s./
KOMENTE