English

Berisha: Varrezat e makinave, 5 kilometra larg rrugëve

Tiranë, 07 Maj, NOA - Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga institucionet përgjegjëse nisjen e një fushate për pastrimin e përgjithshëm të territorit, në funksion të përgatitjes për sezonin turistik gjatë këtij viti.

Kërkesa e Kryeministrit Berisha u bë sot gjatë mbledhjes së Task Force-s për vlerësimin e problematikave mjedisore që shkaktojnë mbetjet urbane dhe makinat e dala jashtë përdorimit.

Një prej vendimeve të marrë nga kjo mbledhje ishte ajo e grumbullimit në një destinacion të caktuar të çdo varrezë makinash që nuk është e licencuar. “Çdo varrezë makine e licencuar do të jetë e detyruar të largohet 5 kilometra nga çdo aks rrugor kombëtar ose rajonal”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes.

Duke u ndalur në pastrimin e territorit, Berisha theksoi se është e rëndësishme që të gjitha institucionet që duhen të angazhohen në këtë proces në funksion të krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm për turizmin.

“Kjo detyrë ka për qëllim ndryshimin rrënjësor të shpejtë dhe energjik të pamjes së këtij vendi, që shëmtohet në mënyrën më të pamerituar nga mijëra skelete makinash të hedhura në të katër anët e vendit, pa asnjë kriter dhe asnjë përgjegjësi. Kjo përbën paraqitjen ë të keqe për miliona turistë që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi se situata si kjo në Shqipëri nuk gjendet në asnjë vend të Europës. Ai akuzoi dhe drejtuesit e autoriteteve lokale për mos veprim në kohë. “Ka një qëndrim indiferent nga drejtuesit vendorë për pastrimin territorit. Ndaj, kjo Task Force ka për qëllim kryesor t’i japë një pamje të re vendit, ku duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet, ushtria, policia, bashkitë, komunat, ministria e Mjedisit, ministria e Kulturës, Arsimit, Financave, sigurisht me fonde”, u shpreh Berisha.

Në mbledhjen e Task Force u ra dakord që veç grumbullimit të pikave të palicencuara, çdo varrezë makine e licencuar do të jetë e detyruar të largohet 5 kilometra nga çdo aks rrugor kombëtar ose rajonal.

m.xh/NOA

KOMENTE