English

Fishë Teknike - Plani I Shpëtimit Të Greqisë Dhe Kontributet E Eurozonës

BRUKSEL, 7 maj /ATSH-ANSA/ - Plani trevjeçar për ndihmën e Greqisë parashikon gjithsej 110 miliardë euro, nga të cilat rreth dy të tretat (80 miliardë) kontribuohen nga vendet e Eurozonës dhe një e treta nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Dhjetë miliardë janë të destinuara për të krijuar një fond stabilizimi për bankat greke. Për vitin 2010 është parashikuar të shpenzohen rreth 45 miliardë euro me tre këste, nga të cilat 30 miliardë nga Eurozona me interes 5 për qind dhe 15 nga FMN me interes 3.26 për qind. Kësti i parë, që është parashikuar të jepet në mes të majit, duhet të jetë të paktën 8.5 miliardë euro. Lëvrimi i ndihmave është i kushtëzuar nga një verifikim tremujor i Komisionit të BE-së, Banjës Qendrore Evropiane (BQE) dhe FMN-së i situatës së programit të kursimit nga ana e Athinës. Sot parlamenti grek e miratoi planin e kursimit me 172 vota pro (vetëm nga deputetët e mazhorancës dhe ata të partisë së ekstremit të djathtë Laos), dhe 121 kundër. Gjashtëmbëdhjetë vendet anëtare të Eurozonës do të kontribuojnë në mënyrë proporcionale në bazë të kuotave përkatëse që kanë në kapitalin e BQE-së. Më poshtë vijon lista e vendeve dhe kontributeve përkatëse për vitin 2010. GJERMANIA: 8.4 miliardë euro. Me një popullsi prej 81.7 milionë, ndihma do t'i kushtojë gjermanëve rreth 103 euro për banor. FRANCA: 6.3 miliardë euro, dhe me një popullsi prej 65.4 milionë banorë, do të sjellë një kosto 92 euro për individ. ITALIA: 5.5 miliardë euro. Për 60 milionë banorët e Italisë, shpëtimi i Greqisë do të jetë rreth 92 euro për person. SPANJA: 3.7 miliardë. Ose thënë ndryshe 80 euro për çdo banor nga 46.08 milionë qytetarët e Spanjës. HOLANDA: 1.8 miliardë euro në dispozicion. Për holandezët, 16.5 milionë, janë rreth 109 euro për person. BELGJIKA: 1.1 miliardë euro. Për rreth 10 milionë banorët e Belgjikës, do të shpenzohen 110 euro për person. Vendet e tjera të Eurozonës do të kontribuojnë me shifra nën 1 miliardë euro. Austria do të kontribuojë me 870 milionë euro, Portugalia me 780, Finlanda me 560, Irlanda me 490, Sllovakia me 310, Sllovenia me 140, Luksemburgu me 75, Qipro me 55 dhe Malta me 25 milionë euro. /e.v/
KOMENTE