English

Kryeministri Berisha, mes të diplomuarve me master të ISSAT

Tiranë, 7 maj, NOA - Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studimet master i Nivelit të Dytë, nga institucioni i arsimit të lartë privat, ISSAT.

Duke u shprehur se gradimi i këtyre studentëve përbën një kontribut të madh në arsimin universitar dhe pasuniversitar të vendit, ai tha se “ky master ka një meritë të madhe, pasi shumë nga leksionet e tij janë ndjekur në gjuhën angleze”.

“Në këtë kontekst, - u shpreh kryeministri, - qeveria javën e kaluar, në kuadër të thellimit të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për master”.

Gjithashtu, Berisha theksoi se qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për arsimin, duke thënë më pas se “një grup i gjerë drejtuesish dhe specialistësh po punojnë për të adoptuar një sistem të ri financimi, si rruga më e sigurt për të dyfishuar burimet financiare për arsimin”.

“Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike dhe ato private”, u shpreh kryeministri mes të tjerash.

n.e/NOA

KOMENTE