English

Mediu: Menaxhimi I Mbetjeve Të Ngurta Mbetet Në Nivel Të Ulët

TIRANE 7 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu deklaroi sot në forumin ekonomik të "Crans Montanës" se, menaxhimi i mbetjeve mbetet një problem serioz që ndikon në shëndetin e qytetarëve, ndaj po punohet për një plan kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. "Kemi probleme me landfilet, mbetjet urbane nuk duhet të grumbullohen, të përpunohen dhe të qëndrojnë në të njëjtin vend", deklaroi Mediu. Sipas Mediut, ministria e Mjedisit po punon për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, por në radhë të parë për të ndërtuar një plan kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. "Jemi në fazën e përgatitjes së planit kombëtar, i cili duhet të konsiderojë një cikël të plotë të trajtimit të mbetjeve. Kjo kërkon një sistem koherent që duhet të fillojë nga parandalimi i mbetjeve, reduktimi i tyre, ndarja e mbetjeve në burim, kompostimi i tyre, riciklimi, djegia për shkatërrim apo prodhim të çdo lloj energjie nga biomasa, apo forma të tjera të vlerësimit të këtyre mbetjeve", tha ministri i Mjedisit. Shqipëria, sipas Mediut, vuan nga grumbullimet e mbeturinave për shkak të mungesës së landfilleve për përpunimin e tyre. "Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet rritjes së tarifës së pastrimit, në mungesë të investimeve të tjera, pasi po të rriten tarifat e pastrimit, atëherë do të kemi qytete më të pastra. Në të njëjtën kohë do të menaxhoheshin më mirë mbetjet e ngurta urbane", deklaroi ai. Ndërsa zv/ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Edmond Haxhinasto u shpreh se menaxhimi i mbetjeve mbetet një sfidë e sigurisë kombëtare si çështje e zhvillimit, por edhe e cilësisë së jetës së qytetarëve. "Duhen ndërmarrë reforma fondamentale", deklaroi ai, duke shtuar nevojën e hartimit të studimeve të fizibiliteteve për hapjen e landfilleve të reja, sipas standardeve europiane. Sipas tij, MPPT ka akorduar këtë vit 600 milionë lekë për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe krijimin e landfilleve të reja, por kjo shifër sipas tij, është e vogël, ndërsa ftoi investitorët e huaj të investojnë në këtë sektor. "Ka nevojë për një angazhim më të madh në këtë sektor dhe është një mundësi për investitorët e huaj", tha Haxhinasto. Ai tha se tashmë është hartuar masterplani kombëtar për investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për 30 vitet e ardhshme, ndërsa shprehu gadishmërinë e qeverisë për hartimin e masterplanit për orientimin e investimeve në plan afatgjatë edhe për mbetjet e ngurta. "Hartimi i masterplanit për mbetjet e ngurta do të ndihmonte në orientimin e investimeve kapitale të qeverisë, por do të mundësonte edhe tërheqjen e investimeve të huaja", deklaroi Haxhinasto. Në Forumin e 21 -të Ekonomik të Crans Montanës, që po zhvillohet në Tiranë për të pestin vit radhazi gjatë dy ditëve po diskutohet në prani të përfaqësuesve të biznesit shqiptar, rajonit dhe më gjerë, mbi sfidat gjeo-strategjike të Shqipërisë lidhur me energjinë në Europën Juglindore, perspektiva ekonomike pas krizës financiare ndërkombëtare dhe përmirësimi i investimeve të huaja./n.m/
KOMENTE