Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Menduh Thaçi: Të mos biem në kurthin e skenarëve të huaj
English

Menduh Thaçi: Të mos biem në kurthin e skenarëve të huaj

Shkup, 7 maj, NOA - Zhvillimet e fundit në Maqedoni mund të dëmtojnë shqiptarët të cilët jetojnë në këtë vend. Prandaj ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos bien në kurthin e skenarëve të huaj.

Kështu ka deklaruar kryetari i partisë opozitare Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, duke folur në një intervistë për BBC-në.

Z. Thaçi, cilat janë vlerësimet tuaja për ngjarjet e fundit në Maqedoni?

Ka një kohë të gjatë që Maqedonia nuk shkon rrugës së duhur. Këtë nuk e thonë vetëm shqiptarët, por edhe bashkësia ndërkombëtare. Çështja e parë është bllokimi i proceseve integruese. Maqedonia është një shtet fraxhil, shumë i lëndueshëm dhe procesi integrues është një imunitet gjeneral për ardhmërinë e Maqedonisë. Ndërprerja e këtyre proceseve të gjithë njerëzve iu humb shpresat se do të mund të bëhet mirë.

Ka një vit e më tepër që në të njëjtën kohë qeveria e Maqedonisë po përdor një politikë nacionaliste. Gjasme në raport me Greqinë po kjo çështja është virtuale, efekti i vërtetë i kësaj politike nacionaliste bie mbi shqiptarët e Maqedonisë. Shumë çështje kanë shkuar mbrapa si përdorimi i gjuhës, hapja e procedurave të ndryshme gjyqësore ku me qindra shqiptarë dënohen me mijëra vjet burg, hapja e rasteve të Hagës që në të njëjtën kohë nënkupton shkeljen e ligjit për amnisti.

Të gjitha këto flasin për një rrugë shumë të gabuar të cilën e ka qeveria e Maqedonisë. Sa iu përket ngjarjeve të javës së fundit, nuk mendoj se ato shkojnë në llogari shqiptarëve.

Përkundrazi, mund t'i dëmtojnë. Është një moment delikat dhe fajtor për këtë gjendje pa dyshim se është qeveria e Maqedonisë dhe ajo do të duhet ta marrë fajin. Unë do të kisha shfrytëzuar rastin që t'ju apeloj shqiptarëve që të jenë shumë të kujdesshëm për shkak se si duket është aktivizuar një skenar i vjetër i cili don t'i fus në kurth shqiptarët dhe mëpastaj ata të cilët e projektojnë këtë skenar të kenë të drejtën të thonë që shqiptarët ishin problematikët që Maqedonia erdhi në këtë gjendje.

Kur është fjala për përpjekjet për integrimin euroatlantik të Maqedonisë, fitohet përshtypja se të gjitha forcat politike, pa dallim të përkatësive etnike, deklarativisht janë për këtë, mirëpo është fakt se mesazhet që po vijnë nga qendrat botërore të vendosjes, në radhë të parë nga Brukseli por edhe Uashingtoni, lënë të kuptohet se ekziston një farë pakënaqësie në këto qendra pikërisht me politikë-bërjen në Maqedoni. Pyetja ime për ju është çfarë mendoni, do të mund të arrihet një zgjidhje kompromise, siç është paralajmëruar deri në qershor me Athinën zyrtare përsa i përket emrit kushtetues të Maqedonisë?

Nga e thëna tek e bëra mund të jetë edhe një det i tërë dhe qeveria e Maqedonisë, në asnjë moment, me asnjë veprim, nuk jep përshtypje se është e interesuar që vendi të shkojë përpara drejt procesit integrues. Përkundrazi, politika e qeverisë së Maqedonisë është provokuese në të gjitha sferat. Provokuese në raport me Greqinë, provokuese me mos-implementimin dhe devijimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, provokuese me lloj-lloj projektesh, siç është Shkupi 2014, Enciklopedia dhe shumë e shumë çështje të tjera. Mendoj se qeveria e Maqedonisë në asnjë moment nuk jep një sinjal pozitiv apo një vullnet të vërtetë politik drejt procesit integrues. Tashmë këtë e kanë vërejtur edhe përfaqësitë e ambasadave dhe organizatave më të fuqishme botërore në Shkup dhe letra e fundit e këtyre përfaqësive drejtpërdrejtë i ishte drejtuar qeverisë dhe shprehte pakënaqësinë e këtyre institucioneve për këtë politikë. Shumë pak kohë ka, shumë pak shpresa për të mos thënë aspak nuk ka shpresa, se deri në qershor do të mund të arrihet ndonjë kompromis.

Partia Demokratike Shqiptare, që ju drejtoni, është ndër forcat kryesore në skenën politike të Maqedonisë. Megjithatë si parti dhe personalisht ju kohët e fundit, si të them, keni bojkotuar disa takime në nivel të liderëve partiakë në Maqedoni. Mendoni se edhe tek ju duhet të ndryshojë diçka me qëllim të përshpejtimit të rrugës së integrimit euroatlantik të vendit.

Është e diskutueshme kjo çështje. E para, dialogu ka qenë manipulativ. Normalisht në këto tryeza nuk ka zgjidh asnjë problem, as një çështje nuk ka shkuar drejt një zgjidhje të vërtetë. E dyta, ne edhe kohët e fundit nuk kemi pasur ftesa për shkak se u bë një manipulim në vendin tonë, të opozitës, qeveria projektoi një njeri dhe grup politik i cili ulej në atë karrige. Tashmë matematika nuk lejon që ai grupim të quhet opozitë e vërtetë. Ne kemi gatishmëri të plotë që të fillojmë dialogun real, të vërtetë, por jo dialogun manipulativ. Kërkojmë që ky dialog të ketë në agjendë të vërtetë. Në kuadër të asaj agjende le të ketë një prioritet. Le të jetë ai prioriteti i proceseve integruese të Maqedonisë dhe të nisim këtë dialog dhe të hapim këtë temë me shumë seriozitet.

Të mërkurën keni zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Shkup. Thaçi mund të bëni lajm me deklaratën për BBC-në. Kur do të ktheheni në parlament?

A dini si është, pjesëmarrja në parlament e deputetëve është çështje teknike. Aspekt politik i rëndësishëm është rikthimi i Partisë Demokratike Shqiptare në kuadër të tryezës së dialogut mes forcave politike në Maqedoni. Ne kemi gatishmëri të plotë që t'i kthehemi atij dialogu, siç të thashë edhe më parë, nëse ai dialog do të jetë i vërtetë, nëse ai dialog do të ketë një agjendë të vërtetë dhe në kuadër të asaj agjende, një prioritet. Nuk mund të bëhemi pjesë e farsës apo dialogut manipulativ që zhvillohet vitin e fundit në Maqedoni.

Konkretisht, për çfarë angazhoheni ju?

Ne angazhohemi në radhë të parë që me shpejtësi urgjent të bëhet kompromisi me Greqinë, të bëhet debllokimi i procesit të integrimit euroatlantik. Sa më shpejt Maqedonia të anëtarësohet në NATO, të fitohet data e hapjes së bisedimeve për në BE dhe më pastaj automatikisht të bisedohet për problemet e shqiptarëve. Ne kemi ofertën tonë. Është marrëveshja e re politike, por jemi të gatshëm që të dëgjojmë edhe oferta të tjera. Në kuadër të një dialogu të vërtetë do të japim kontributin tonë të plotë për të arritur një konsensus që Maqedonia përfundimisht të funksionojë si shtet i maqedonasve dhe i shqiptarëve. Të gjitha variantet e tjera u treguan seriozisht të pasuksesshme.

BBC

KOMENTE